Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Iranit takohet me zyrtarë sauditë në Jordani

Mohammed Bagheri

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Iranit, Mohammed Bagheri është takuar në Jordani me zyrtarë të Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, transmeton Anadolu Agency (AA).

Jordania njoftoi se në vend po mbahet një seancë dialogu midis Arabisë Saudite dhe Iranit për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Sipas agjencisë zyrtare jordaneze të lajmeve PETRA, në seancën e mbajtur në Institutin Arab për Studime të Sigurisë në kryeqytetin Aman morën pjesë ekspertë nga Arabia Saudite dhe Irani.

Në lajm nuk jepen detaje se kur u mbajt seanca por thuhet se “Seanca, ku u diskutuan çështjet e sigurisë dhe ato teknike u fokusua në kërcënimin dhe mekanizmat e raketave”.

Theksohet se në takimin e dialogut në Aman është diskutuar edhe për programin bërthamor të Iranit. “U diskutua edhe për hapat teknikë për të siguruar besimin mes dy palëve në disa fusha, veçanërisht programin bërthamor të Iranit dhe bashkëpunim të karburantit bërthamor”.

Sekretar i Përgjithshëm i Institutit Arab për Studime të Sigurisë, Eymen Khalil tha se “Seanca u mbajt në kuadër të respektit të ndërsjellë. Palët pjesëmarrëse ishin të gatshme për të forcuar stabilitetin rajonal i cili do të kontribuonte në zhvillimin e marrëdhënieve dhe mirëqenien e popujve të rajonit”.

Duke pritur seancën e dialogut ndërmjet Arabisë Saudite dhe Iranit, Khalil tha se së shpejti do të organizojnë më shumë sesione me pjesëmarrës nga të dy vendet për të ndjekur këshillat e sigurisë dhe këshillat teknike.

Në lajmin e medias shtetërore iraniane, shefi i shtabit të përgjithshëm iranian, Mohammed Bagheri tha: “Ne zhvilluam bisedime me autoritetet e Arabisë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për çështje rajonale. Keqkuptimet u sqaruan deri në një pikë. Ne kemi marrëdhënie të mira me Katarin dhe Kuvajtin. Me Bahreinin ende nuk është bërë asnjë kontakt në këtë drejtim”.

Arabia Saudite ka luftuar kundër sulmeve nga mjetet e armatosura ajrore pa pilot dhe raketave balistike nga Huthit në Jemen, të cilët prej vitesh janë mbështetur nga Irani.

Huthit që nga shtatori 2014 kontrollojnë kryeqytetin Sana dhe disa rajone ndërsa forcat e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite që nga marsi 2015 kanë mbështetur qeverinë e Jemenit kundër Huthive. /aa