Shefi i politikës së jashtme të BE-së dënon su’lmin iz’raelit në Bejrut që vr’au 7 punonjës mjekësorë

Shefi i politikës së jashtme të BE-së dënoi sot sulmin izraelit në Bejrut që vrau shtatë persona, duke e quajtur shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar, transmeton Anadolu.

“IDF-ja (Ushtria izraelite) synoi edhe një herë punonjësit e kujdesit shëndetësor gjatë natës, në qendër të Bejrutit: u vranë shtatë persona, duke përfshirë paramedikë”, tha ai në X.

“Jo vetëm që civilët janë viktima të sulmeve, duke përfshirë zonat me popullsi të dendur, por ata janë të privuar nga kujdesi urgjent”, shtoi Borrell, duke vënë në dukje se ai e dënon atë si shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar.

Shtatë paramedikë të Autoritetit Shëndetësor Islamik të lidhur me Hezbollahun u vranë në një sulm izraelit në një qendër të mbrojtjes civile në kryeqytetin libanez Bejrut sot, tha shërbimi mjekësor i urgjencës.

Izraeli ka nisur sulme masive ajrore që nga 23 shtatori ndaj atyre që i quan objektiva të Hezbollahut në gjithë Libanin, duke vrarë më shumë se 1.100 viktima dhe plagosur mbi 3.000, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë.

Udhëheqja e lartë e grupit libanez Hezbollah është vrarë në sulmet izraelite, duke përfshirë liderin Hassan Nasrallah.

Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza, e cila ka vrarë mbi 41.700 njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, pas një sulmi nga grupi palestinez Hamas tetorin e kaluar.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar se sulmet izraelite në Liban mund të përshkallëzojnë konfliktin e Gazës në një luftë më të gjerë rajonale.