Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shefi i policisë skoceze pranon se brenda tyre ka “racizëm institucional”

Shefi i policisë skoceze pranon se brenda tyre ka “racizëm institucional”

“Policia e Skocisë është institucionalisht raciste dhe diskriminuese”, thotë Shefi i Shërbimit Policor të Skocisë, Sir Ian Livingstone.

Shefi i Shërbimit Policor të Skocisë, Sir Ian Livingstone, ka deklaruar se gjëja e duhur për të bërë si shef i policisë është “të thuhet qartë se racizmi institucional, seksizmi, mizogjinia dhe diskriminimi” ekzistojnë brenda forcës policore.

Duke folur në një takim të Autoritetit të Policisë Skoceze, Livingstone tha se paragjykimi dhe sjellja e keqe brenda policisë është një “shqetësim i madh dhe absolutisht i dënuar”.

“Policia e Skocisë është institucionalisht raciste dhe diskriminuese. Njohja publike e ekzistencës së këtyre çështjeve institucionale është thelbësore për angazhimin tonë absolut për të mbrojtur barazinë dhe për t’u bërë një shërbim anti-racist”, tha Livingstone.

Livingstone, i cili do të dalë në pension në muajin gusht, tha se është thelbësore për vendosmërinë e departamentit për të udhëhequr ndryshime më të gjera në shoqëri. Ai theksoi se forca policore duhet “të lëvizë përtej fjalëve dhe të fokusohet në veprim”.

Më herët në muajin mars, një raport i pavarur i forcave policore të Londrës arriti në përfundim se Policia Metropolitane është “e kalbur, e thyer dhe institucionalisht raciste” dhe se duhet shfuqizuar nëse nuk mund të ndryshojë.

Raporti prej 363 faqesh zbuloi shumë incidente tronditëse, përfshirë “zhveshjen me forcë” të një oficere të policisë nga një mashkull në një makinë patrullimi.

Forca policore, theksoi raporti, nuk ka arritur të mbrojë publikun nga oficerët që abuzojnë me gratë. Gjithashtu, u theksua se londinezët janë “vënë të fundit” dhe qyteti “nuk ka më një shërbim funksional të policisë”.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Këshilli Kombëtar i Shefave të Policisë, gjithsej 1.483 akuza për dhunë u raportuan kundër 1.539 oficerëve të policisë në Angli dhe Uells gjatë një periudhe prej gjashtë muajsh.

Vetëm 13 oficerë dhe staf të policisë u shkarkuan për sjellje të pahijshme dhe asnjë nuk u pushua nga puna si rezultat i ankesave publike.

Exit mobile version