Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres ka deklaruar se vrasjet e gazetarëve që nga fillimi i luftës në Gaza janë “të papranueshme”, si dhe ka bërë thirrje për mbrojtjen e mediave, transmeton Anadolu.
Komentet e shefit të OKB-së erdhën në një mesazh të lexuar në hapjen e Seminarit Ndërkombëtar të Mediave të OKB-së për Paqen në Lindjen e Mesme, të mbajtur në Gjenevë. Guterres tha se ky seminar po mbahet në rrethana “thellësisht të vështira” pasi lufta në Gaza muajin e kaluar shënoi një vit derisa shkelja u zgjerua në Liban.
“Në të njëjtën kohë, situata në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor, vazhdon të përkeqësohet me operacionet ushtarake izraelite, ndërtimin e vendbanimeve, intensifikimin e sulmeve të kolonëve, të cilat minojnë në mënyrë progresive çdo mundësi për një zgjidhje me dy shtete”, tha Guterres.
Shefi i OKB-së theksoi se gazetarët në Rripin e Gazës janë vrarë në “një nivel të paparë në asnjë konflikt”. Ai shtoi se “ndalimi i vazhdueshëm i gazetarëve ndërkombëtarë nga Gaza i zë frymën të vërtetës edhe më tej”.
Ai gjithashtu nuk harroi të përmend disa nga ata gazetarë që gjithashtu janë vrarë ose plagosur duke mbuluar histori kyçe që ndikojnë në Bregun Perëndimor të pushtuar. “Kjo është e papranueshme. Zërat e gazetarëve duhet të mbrohen dhe liria e mediave duhet të mbrohet”, theksoi Guterres.
Ai po ashtu përsëriti thirrjen e tij për t’i dhënë fund luftës dhe pushtimit.
“Është koha për armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe Liban, me lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjitha pengjeve, shpërndarjen efektive të ndihmës humanitare dhe përparimin e pakthyeshëm drejt një zgjidhjeje me dy shtete”, tha Guterres.
Sipas Sindikatës së Gazetarëve Palestinezë, 173 gazetarë janë vrarë gjatë mbulimit të luftës që nga 7 tetori i vitit 2023.
Izraeli vazhdon me ofensivën shkatërruese në Gaza që nga sulmi i tetorit të vitit të kaluar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm.
Të paktën 43.200 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë si dhe mbi 101.600 të tjerë janë plagosur.
Për veprimet e tij në Gaza, Izraeli përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.