Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shefi i OKB-së: Vënia në shënjestër e paqeruajtësve “mund të përbëjë krim...

Shefi i OKB-së: Vënia në shënjestër e paqeruajtësve “mund të përbëjë krim lufte” mes sulmeve izraelite

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka paralajmëruar kundër vënies në shënjestër të paqeruajtësve në mes të sulmeve të vazhdueshme të Izraelit në Liban, duke theksuar se kjo “mund të përbëjë një krim lufte”, transmeton Anadolu.

Duke ngritur alarmin ndaj ushtrisë izraelite që vë në shënjestër personelin dhe pozicionet e Forcave të Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL), zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, në një konferencë për media tha se objektet e OKB-së janë ndikuar të paktën 20 herë që nga 1 tetori.

“Sekretari i përgjithshëm përsërit se personeli i UNIFIL-it dhe ambientet e saj nuk duhet të jenë kurrë në shënjestër. Sulmet kundër paqeruajtësve janë një shkelje e ligjit ndërkombëtar, duke përfshirë ligjin ndërkombëtar humanitar. Ato mund të përbëjnë një krim lufte”, tha Dujarric.

UNIFIL u themelua si një forcë e përkohshme dekada më parë, respektivisht në vitin 1978, me qëllim për të ndihmuar në rivendosjen e paqes në rajon dhe si një konfirmim i tërheqjes së Izraelit nga Libani.

Dujarric përshëndeti deklaratën e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që u kërkon të gjitha palëve të respektojnë sigurinë e paqeruajtësve të OKB-së në Liban.

“Ne vlerësojmë mbështetjen e deklaruar të Këshillit të Sigurimit për punën e paqeruajtësve tanë të guximshëm, të cilët mbeten në pozitën e mbështetjes së përpjekjeve për të krijuar një hapësirë për zgjidhjen diplomatike të kësaj krize dhe për mbështetjen e rikthimit të ndërprerjes së armiqësive dhe zbatimin e plotë të Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit”, tha ai.

Rezoluta 1701 kërkon një ndërprerje të plotë të armiqësive midis Libanit dhe Izraelit, si dhe krijimin e një zone të çmilitarizuar midis lumit Litani dhe Linjës së Kaltër, respektivisht kufirit ‘de fakto’ midis Libanit dhe Izraelit, duke lejuar vetëm ushtrinë libaneze dhe UNIFIL-in të zotërojnë armë dhe pajisje ushtarake në zonë.

Më tej, Dujarric përsëriti thirrjen e OKB-së për një armëpushim të menjëhershëm dhe për t’i dhënë fund vuajtjeve të civilëve.

Duke shprehur shqetësimin për armiqësitë e vazhdueshme përgjatë Linjës së Kaltër midis Hezbollahut dhe ushtrisë izraelite, Dujarric kujtoi se të paktën 23 civilë u vranë në Libanin verior.

“Sekretari i përgjithshëm dënon fuqishëm humbjen e jetëve të civilëve. Ne mbetemi thellësisht të shqetësuar për ndikimin mbi civilët në të dy anët e Linjës së Kaltër, por veçanërisht në Liban”, tha ai.

Që nga 23 shtatori, Izraeli ka kryer sulme masive ajrore në të gjithë Libanin kundër atyre që ai pretendon se janë objektiva të Hezbollahut, duke vrarë të paktën 1.500 njerëz, duke plagosur mbi 4.500 të tjerë dhe duke shkaktuar zhvendosjen e më shumë se 1.34 milionë njerëzve.

Fushata ajrore izraelite është një përshkallëzim i luftës ndërkufitare midis Izraelit dhe Hezbollahut që nga fillimi i ofensivës izraelite në Rripin e Gazës, e cila ka vrarë të paktën 42.300 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare se Lindja e Mesme është në prag të një lufte rajonale mes sulmeve të pamëshirshme të Izraelit ndaj Gazës dhe Libanit, më 1 tetor Tel Avivi e zgjeroi konfliktin duke nisur një inkursion tokësor në Libanin jugor.

Exit mobile version