Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka shprehur shqetësim për përshkallëzimin e fundit në kufirin libanezo-izraelit, përfshirë gjuajtjen e raketave dhe sulmet ajrore izraelite në Liban, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Sekretari i përgjithshëm shpreh shqetësimin e tij të thellë për përshkallëzimin e fundit midis Libanit dhe Izraelit përtej Linjës Blu, përfshirë goditjen me raketa ndaj Izraelit dhe përgjigjen me sulme ajrore dhe artileri ndaj Libanit”, tha zëdhënësi i tij Stephane Dujarric në një deklaratë.
Guterres u bëri thirrje “të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale” dhe “të shmangin veprimet që mund të rrisin më tej tensionet dhe të çojnë në llogaritje të gabuar”, tha Dujarric.
Të premten, grupi libanez Hezbollah mori përgjegjësinë për hedhjen e raketave ndaj objektivave izraelite në Fermat Shebaa të pushtuara nga Izraeli në Libanin jugor, duke thënë se ishte në përgjigje të sulmeve izraelite ndaj Libanit.
Ushtria izraelite tha gjithashtu në një deklaratë se Hezbollahu gjuajti 19 raketa në Fermat Shebaa, por nuk raportoi asnjë viktimë.
Libani tha të enjten se do të paraqesë një ankesë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për sulmet izraelite. /aa