Shefi i OKB-së paralajmëron për uri “të patolerueshme” që po afrohet në Ga’za

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres paralajmëroi sot për urinë “e patolerueshme” që po afrohet në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

“I alarmuar nga gjetjet e raportit të IPC-së (Klasifikimi i Fazës së Sigurisë Ushqimore) se zhvendosja e lartë dhe kufizimet në flukset e ndihmave humanitare nënkuptojnë se njerëzit në Gaza po përballen me nivele katastrofike urie”, shkroi Guterres në X.

Duke reaguar ndaj gjetjeve të fundit nga raporti i IPC-së i OKB-së, Guterres theksoi rëndësinë e krizës, duke thënë: “Uria po afrohet. Kjo është e patolerueshme”.

Guterres tha më tej se “pikat e kalimit duhet të hapen menjëherë, pengesat burokratike duhet të hiqen dhe ligji dhe rendi të rivendoset në mënyrë që agjencitë e OKB-së të mund të ofrojnë ndihmë humanitare shpëtimtare”.

Sipas raportit të fundit të IPC-së, rreth 345.000 banorë të Gazës janë në rrezik të përballen me nivele “katastrofike” të urisë për shkak të dështimit të dërgesave të ndihmave.

Raporti tha gjithashtu se niveli i ndihmës së ofruar për Gazën në shtator ra në pikën më të ulët që nga marsi.