Shefi i OKB-së: Gjysma e popullsisë së Gazës po përballet me uri katastrofike

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, deklaroi se gjysma e popullsisë së Rripit të Gazës po përballet me urinë, duke theksuar se kjo është shifra më e lartë deri më tani dhe duke e quajtur situatën në enklavën palestineze si “katastrofë humanitare të shkaktuar nga dora e njeriut”, raporton Anadolu.

Guterres u prononcua për gazetarët në lidhje me raportin e Klasifikimit të Fazës së Sigurisë Ushqimore të Integruar (IPC).

“Palestinezët në Gaza po vuajnë nga uria dhe vuajtjet e tmerrshme. Sipas IPC-së, ky është numri më i lartë i njerëzve që janë përballur ndonjëherë me urinë katastrofike kudo dhe në çdo kohë. Kjo është një fatkeqësi krejtësisht e krijuar nga njeriu dhe raporti e bën të qartë se kjo mund të ndalet”, tha Guterres.

Duke vënë në dukje se raporti në fjalë tregon nevojën urgjente për një armëpushim humanitar në Gaza, sekretari i përgjithshëm u bëri thirrje autoriteteve izraelite të “sigurojnë qasje të plotë dhe të pakufizuar në ndihmën humanitare në gjithë Gazën dhe komunitetit ndërkombëtar për të mbështetur plotësisht përpjekjet humanitare të OKB-së”.

“Ne duhet të veprojmë tani për të parandaluar të pamendueshmen, të papranueshmen dhe të pajustifikueshmen”, tha Guterres.

Në raportin e Klasifikimit të Fazës së Sigurisë Ushqimore të Integruar (IPC) të përgatitur nga organizatat e lidhura me OKB-në, u raportua se 70 për qind e popullsisë në veri të Gazës po përballen me uri katastrofike.

Ndërkaq, Cindy McCain, Drejtore Ekzekutive e një agjencie tjetër të OKB-së, Programit Botëror të Ushqimit (WFP), tha: “Njerëzit në Gaza po vdesin nga uria tani. Shpejtësia me të cilën kjo krizë e urisë dhe kequshqyerjes e krijuar nga njeriu po prek Gazën është e tmerrshme. Ka mbetur një dritare shumë e vogël për të parandaluar urinë dhe për ta bërë këtë ne kemi nevojë për qasje të menjëhershme dhe të plotë në veri”.