Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkura (OKB), Antonio Guterres, ka lëshuar një paralajmërim të ashpër për katastrofën humanitare në Rripin e Gazës, si dhe ka denoncuar bllokadën e Izraelit ndaj ndihmës humanitare, raporton Anadolu.
“Ka kaluar më shumë se një muaj i tërë pa një pikë ndihme në Gaza. Pa ushqim, pa karburant, pa ilaçe. Nuk ka furnizime komerciale. Derisa ndihmat janë shteruar, portat e tmerrit janë rihapur. Gaza është një fushë vrasjesh dhe civilët janë në një lak të pafund vdekjesh”, tha Guterres në një konferencë për media në selinë e OKB-së në New York.
Guterres theksoi se pauza humanitare mundësoi përpjekje domethënëse të ndihmës dhe lirimin e pengjeve, duke shtuar se “mbi të gjitha, e dimë se armëpushimet funksionojnë”.
Ai përmendi Konventën e Gjenevës, e cila detyron fuqinë pushtuese të garantojë sigurimin e ushqimit, kujdesit mjekësor dhe shërbimeve shëndetësore publike.
“Si fuqi pushtuese, Izraeli ka detyrime të qarta sipas ligjit ndërkombëtar, duke përfshirë të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut”, tha Guterres.
Shefi i OKB-së shpjegoi se ligji ndërkombëtar kërkon që Izraeli të pajtohet me planet e ndihmës dhe të lejojë që ndihma të arrijë popullsinë civile në Gaza.
Megjithatë, ai tha se “asgjë nga këto sot nuk po ndodh”.
“Asnjë furnizim humanitar nuk mund të hyjë në Gaza. Ndërkohë, në pikat e kalimit, furnizimet me ushqime, ilaçe dhe strehim po grumbullohen dhe pajisjet jetike janë bllokuar”, theksoi ai.
Guterres gjithashtu theksoi nevojën për të mbrojtur “heronjtë” e personelit humanitar në Gaza, të cilët rrezikojnë jetën e tyre për të ofruar ndihmë.
“Dua të them një fjalë të veçantë për ata heronjtë humanitar në Gaza. Ata janë nën zjarr, megjithatë bëjnë gjithçka që munden për të ndjekur rrugën që zgjodhën, për të ndihmuar njerëzit”, tha ai.
Lidhur me propozimin e ri të autoriteteve izraelite për të kontrolluar dërgesat humanitare, Guterres tha se, “Mekanizmat e autorizimit të propozuara rishtazi nga autoritetet izraelite për dërgimin e ndihmave rrezikojnë të kontrollojnë më tej dhe të kufizojnë në mënyrë të pashpirt ndihmat deri në kaloritë dhe kokrrën e fundit të miellit”.
“Më lejoni të jem i qartë. Ne nuk do të marrim pjesë në asnjë marrëveshje që nuk respekton plotësisht parimet humanitare, humanizmin, paanshmërinë, pavarësinë dhe neutralitetin. Qasja e papenguar humanitare duhet të garantohet”, theksoi ai.
Guterres kërkoi përgjegjësi dhe një hetim të pavarur për vrasjen e punëtorëve humanitar, duke përfshirë personelin e OKB-së.
Duke u bërë thirrje vendeve anëtare të OKB-së që të respektojnë detyrimet e tyre, Guterres tha se “duhet të ketë drejtësi dhe përgjegjësi kur nuk e bëjnë”.
“Bota mund të jetë pa fjalë për të përshkruar situatën në Gaza, por ne kurrë nuk do të ikim nga e vërteta. Rruga aktuale është një rrugë pa krye, krejtësisht e patolerueshme në sytë e ligjit ndërkombëtar dhe historisë”, tha Guterres, duke paralajmëruar për përkeqësim të dhunës.
“Dhe, rreziku i transformimit të Bregut Perëndimor të pushtuar në një Gazë tjetër e bën atë edhe më keq. Është koha për t’i dhënë fund de-humanizmit, për të mbrojtur civilët, për të liruar pengjet, për të siguruar ndihma shpëtimtare dhe për të rivendosur armëpushimin”, tha shefi i OKB-së.