Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shefi i OKB-së: Bota nuk mund të lejojë që Li’bani të bëhet...

Shefi i OKB-së: Bota nuk mund të lejojë që Li’bani të bëhet Ga’za e re

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) Antonio Guterres shprehu shqetësim të thellë për tensionet në rritje midis Izraelit dhe grupit libanez Hezbollah, duke thënë se bota nuk mund të lejojë që Libani të bëhet Gaza e re.

“Sot u ndjeva i detyruar të shpreh shqetësimin tim të thellë për përshkallëzimin midis Izraelit dhe Hezbollahut përgjatë Linjës Blu”, u tha Guterres gazetarëve në Nju Jork, duke kritikuar përshkallëzimin e retorikës luftarake nga të dyja palët.

Duke paralajmëruar për një konflikt të mundshëm më të gjerë rajonal në Lindjen e Mesme, Guterres tha se një veprim i keqmenduar, një gjykim i gabuar, mund të shkaktojë një katastrofë që shkon përtej kufijve.

“Të jemi të qartë, njerëzit e rajonit dhe njerëzit e botës nuk mund të përballojnë që Libani të bëhet një Gazë tjetër”, tha Guterres.

Ai bëri thirrje për zbatimin e plotë të rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit dhe një ndërprerje të menjëhershme të armiqësive duke mbrojtur civilët.

“Fëmijët, gazetarët dhe punonjësit mjekësorë nuk duhet të jenë kurrë në shënjestër”, tha Guterres.

Ai u bëri thirrje të gjithëve të kuptojnë se është koha për arsye dhe racionalitet.

“Ndërprerja e armiqësive dhe përparimi drejt një armëpushimi të përhershëm është zgjidhja e vetme e qëndrueshme”, tha Guterres.

“Dhe ne po e bëjmë këtë ndërsa vazhdojmë të bëjmë presion për një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza, lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të pengjeve dhe rrugën e duhur për një zgjidhje me dy shtete”, përfundoi Guterres.

Exit mobile version