Shefi i mbrojtjes i BE-së: Rusia mund të sulmojë Evropën deri në vitin 2030

Anëtari i Komisionit Evropian (KE) përgjegjës për mbrojtjen dhe hapësirën, Andrius Kubilius

Anëtari i Komisionit Evropian (KE) përgjegjës për mbrojtjen dhe hapësirën, Andrius Kubilius paralajmëroi se Rusia mund të sulmojë një nga vendet e NATO-s para vitit 2030, transmeton Anadolu.

Kubilius prezantoi strategjinë e tij, të quajtur “Letra e Bardhë” (White Paper), në parlamentin kombëtar të Lituanisë, Seimas, e cila përfshin elementë të tillë si rritja e shpenzimeve ushtarake dhe prodhimit të BE-së deri në vitin 2030 dhe ndarja e burimeve për projektet e përbashkëta të mbrojtjes.

Ai tha se raportet e inteligjencës treguan se Rusia mund të testojë Nenin 5, i cili thotë se “një sulm i armatosur kundër çdo vendi të NATO-s konsiderohet si një sulm kundër të gjithëve” përpara vitit 2030 dhe vuri në dukje nevojën që Evropa të zhvillojë aftësitë e saj të mbrojtjes në mënyrë të pavarur nga SHBA-ja.

Kubilius tha se administrata e re në SHBA ka të ngjarë të fokusohet më shumë në rajonin Indo-Paqësor, veçanërisht në Kinë, dhe se Evropa duhet të marrë përgjegjësinë e plotë për mbrojtjen e saj.

“Ne nuk duhet të harrojmë se prania e SHBA-së në mbrojtjen evropiane mund të zvogëlohet me kalimin e kohës. 450 milionë evropianë nuk duhet të zemërohen me 340 milionë amerikanë, të cilët kanë agjendat dhe sfidat e tyre, sepse ata nuk mund të na ndihmojnë gjithmonë kundër një Rusie prej 140 milionësh, e cila nuk mundi të mposhtte 38 milionë njerëzit në Ukrainë”, tha Kubilius.

– Thirrja për të forcuar industrinë ushtarake

Kubilius deklaroi se Evropa ka fuqinë ekonomike për të krijuar kapacitetin e saj mbrojtës dhe se nëse vendet anëtare angazhohen të shpenzojnë 3 deri në 3.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen në katër vitet e ardhshme, buxheti i përgjithshëm do të bëhet 2,4 trilionë euro.

Duke theksuar se 80 për qind e pajisjeve mbrojtëse të Evropës blihen nga jashtë BE-së, Kubilius u bëri thirrje vendeve evropiane të forcojnë industritë e tyre ushtarake në mënyrë që të sigurojnë autonomi strategjike.

“Ne duhet të kemi një industri të zhvilluar ushtarake në mënyrë që në rast lufte të kemi të gjitha stoqet dhe të gjitha pajisjet e nevojshme”, tha Kubilius.