Ministri i Punëve të Jashtme i Türkiyes, Hakan Fidan, ka deklaruar se vendi i tij është zotuar të mbrojë të gjitha “grupet e dëmtuara” në Siri, raporton Anadolu.
“Pavarësisht nëse është shumicë apo pakicë në Siri, kushdo qoftë, nusajri, alevi, jazidi, i krishterë, kushdo, Türkiye është mbrojtësi dhe kujdestari i tyre ashtu siç është për të gjithë të tjerët në këtë periudhë të re”, tha Fidan në një konferencë të përbashkët për media në Ankara me homologun e tij belg, Bernard Quintin.
Fidan tha se gjatë shtypjes së regjimit të Bashar Asadit, miliona arabë sunitë u zhvendosën, përfshirë turq dhe u detyruan të kërkojnë strehim në vende të tjera.
Ai gjithashtu theksoi se Türkiye nuk hezitoi të pranojë ata që kërkonin mbrojtje përballë shtypjes.
Që nga fillimi i luftës në Siri në vitin 2011, Türkiye ka siguruar strehim për mbi 3 milionë sirianë.
Shefi i diplomacisë turke tha se Ankaraja nuk ka hezituar kurrë të ndajë barrën e atyre që kërkojnë strehim dhe të ndërmarrin hapa për të siguruar që ata të jetojnë në paqe në të ardhmen e Sirisë.
“Ne po bëjmë çdo përpjekje për të siguruar që ata të mos përballen me dëme në Siri. Udhëheqja e re sirianë gjithashtu është shumë e ndjeshme ndaj kësaj çështjeje”, theksoi Fidan.
– E ardhmja e Sirisë
“Ne shpresojmë dhe dëshirojmë që populli i Sirisë ta ndërtojë shpejt të ardhmen e tij”, tha Fidan.
Ai theksoi se rindërtimi i Sirisë kërkon mbështetje ndërkombëtare dhe se Ankaraja është e përkushtuar të ndihmojë në sigurinë, integritetin territorial dhe përpjekjet e rindërtimit të vendit.
Fidan foli edhe për gjenocidin e vazhdueshëm në Gaza, duke theksuar se kjo kërcënon jo vetëm palestinezët, por edhe sistemin ndërkombëtar. Ai kërkoi t’i jepet fund menjëherë këtyre krimeve.
Lidhur me të burgosurit e DEASH-it në Siri, Fidan përsëriti qëndrimin e Türkiyes se luftëtarët e huaj duhet të kthehen në vendet e tyre dhe se komuniteti ndërkombëtar duhet të zgjidhë çështjen e ndalimit në një mënyrë që të parandalojë krizat e mëtejshme.
Ai theksoi gatishmërinë e Türkiyes për të mbështetur Sirinë në sigurimin e kampeve dhe burgjeve, si dhe në sigurimin e integritetit territorial të vendit.
– Lidhjet Türkiye-Belgjikë
Duke folur për lidhjet dypalëshe me Belgjikën, Fidan theksoi se të dy vendet janë aleatë të NATO-s, kanë një miqësi të gjatë dhe marrëdhënie tregtare dhe investimesh në rritje.
Fidan tha se të dy vendet synojnë të avancojnë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe të forcojnë më tej marrëdhëniet midis kompanive turke dhe belge.
Shefi i diplomacisë turke tha se me homologun e tij belg diskutuan tema të tilla si mbështetja e Belgjikës për anëtarësimin e Türkiyes në Bashkimin EVropian (BE), unionin doganor, liberalizimin e vizave dhe për çështje të tjera.
Ai gjithashtu shprehu shqetësime për praninë e PKK-së, FETO-s dhe grupeve të tjera terroriste në Belgjikë, duke kërkuar përpjekje për të parandaluar shfrytëzimin e ligjeve vendase nga ana e tyre.