Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shefi i diplomacisë saudite dhe siriane diskutojnë të ardhmen e Sirisë

Shefi i diplomacisë saudite dhe siriane diskutojnë të ardhmen e Sirisë

Ministri saudit i Punëve të Jashtme, Princi Faisal bin Farhan, është takuar në Riad me homologun e tij nga administrata e re e Sirisë, Asaad al-Shaibani, për të diskutuar përpjekjet për të formësuar të ardhmen e vendit të shkatërruar nga lufta, transmeton Anadolu.

Ky takim në Riad shënon vizitën e parë ndërkombëtare të ministrit al-Shaibani që nga rënia e regjimit të Bashar Asadit muajin e kaluar.

Ministria e Punëve të Jashtme e Arabisë Saudite tha se diskutimet u fokusuan në “rishikimin e situatës aktuale në Siri dhe përpjekjet që po bëhen për ta trajtuar atë”.

Princi Faisal përsëriti mbështetjen e mbretërisë saudite për “të gjitha përpjekjet që synojnë të garantojnë sigurinë, stabilitetin, sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Sirisë”.

Të dy ministrat eksploruan gjithashtu “mënyrat për të mbështetur iniciativat që kontribuojnë në një të ardhme të begatë për Sirinë dhe popullin e saj”, si dhe diskutuan ruajtjen e institucioneve dhe burimeve të Sirisë dhe ri-integrimin e saj në botën arabe dhe islame.

Mbrëmë, al-Shaibani mbërriti në Riad, duke shënuar vizitën e tij të parë zyrtare jashtë vendit pas rrëzimit të regjimit të Asadit. Vizita pasoi një ftesë nga homologu i tij saudit.

Asadi, lideri i Sirisë për pothuajse 25 vite, më 8 dhjetor u arratis në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila ka qenë në pushtet që nga viti 1963.

Marrja e kontrollit erdhi pasi luftëtarët e Hayat Tahrir al-Shamit arritën kontrollin në qytetet kryesore me një ofensive që zgjati më pak se dy javë. Një administratë e re e udhëhequr nga Ahmed al-Sharra ka marrë tani përgjegjësinë.

Exit mobile version