Shefi i diplomacisë ruse i “gatshëm” të studiojë propozimet e Trumpit për paqen në Ukrainë

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, ka bëri të ditur se Moska është e “gatshme” të studiojë propozimet e presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, lidhur me paqen në Ukrainë pasi presidenti amerikan të marrë detyrën javën e ardhshme, transmeton Anadolu.

“Kur Trump, pasi të bëhet president, më në fund të formulojë qëndrimin e tij për çështjet e Ukrainës, sigurisht ne do ta studiojmë atë”, tha Lavrov në një konferencë për media në Moskë.

Trump thotë se dëshiron të zgjidhë në mënyrë të shpejt konfliktin e gjatë ruso-ukrainas. Sipas të dërguarit të tij të posaçëm, Keith Kellogg, qëllimi është t’i jepet fund luftës në një afat të afërt, në 100 ditë.

Lavrov tha se Moska deri më tani nuk ka marrë asnjë propozim për një takim midis Trumpit dhe presidentit rus, Vladimir Putin.

“Në këtë fazë, të gjitha këto shpjegime, iniciativa dhe të menduarit me zë të lartë nuk kanë efekt praktik, ndaj duhet të presim derisa administrata e re të formulojë qasjet e tyre zyrtare”, theksoi Lavrov.

Shefi i diplomacisë ruse përshëndeti përmendjen e “realiteteve në terren” nga ekipi i Trumpit në lidhje me gjetjen e zgjidhjes.

Ai tha se Trump është bërë politikani i parë perëndimor që pranoi se NATO e gënjeu Rusinë për çështjen e mos zgjerimit të aleancës në lindje.

Lidhur me komentet e Trumpit për blerjen ose marrjen e mundshme të kontrollit mbi Grenlandën, Lavrov tha se ai mendon se ata “duhet të dëgjojnë fillimisht grenlandezët”.