Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shefi i diplomacisë italiane vlerëson paketën e re të sanksioneve të BE-së...

Shefi i diplomacisë italiane vlerëson paketën e re të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë

Ministri italian i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani, ka deklaruar se vendimi i Bashkimit Evropian (BE) për të përfshirë në paketën e saj të 14-të të sanksioneve kundër Moskës disa masa që lejojnë kompanitë evropiane që operojnë në Rusi të ngrenë padi në gjykatat kombëtare evropiane për të kërkuar dëmshpërblim, përfaqëson një hap kyç në mbrojtjen e interesave të biznesit evropian në vend, transmeton Anadolu.

Në margjinat e një takimi të Këshillit Evropian në Luksemburg, Tajani tha se “vendimi i marrë sot nga BE-ja u promovoua nga Italia dhe është shumë i rëndësishëm për të gjitha kompanitë evropiane dhe italiane që operojnë në Rusi”.

“Sot u prezantua parimi sipas të cilit kompanitë (e BE-së) mund të ndjekin rrugë gjyqësore për të kërkuar kompensim për veprime të mundshme hakmarrëse (nga Rusia). Ne miratuam bazën ligjore dhe parimin që këto kompani mund të ngrenë padi për të kërkuar korrigjim”, tha Tajani.

Shefi i diplomacisë italiane tha se tani kompanitë e BE-së mund të kërkojnë dëmshpërblim në rast të padive të nisura nga entitete ruse ose të kontrolluara nga Rusia për kontrata ose transaksione të goditura nga veprimet evropiane.

Ai shtoi se masat e reja vlejnë edhe për rastet në të cilat kompanitë e BE-së mund të kërkojnë dëmshpërblim në rastet kur Moska zëvendësoi menaxhimin e tyre në vend me një administratë të përkohshme ruse.

Ai gjithashtu theksoi financimi i kompensimin të kërkuar nga këto kompani do të përcaktohet në një fazë të mëvonshme.

Italia ka një interes të veçantë në këtë çështje pasi dy kompani italiane, Ariston dhe UniCredit, janë vënë në shënjestër nga heqja e menaxhimit ose gjoba nga Rusia, të cilat Italia i sheh si një hakmarrje për vendimet perëndimore mbi sanksionet.

Exit mobile version