Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Abbas Araghchi ka njoftuar fillimin e një epoke të re të partneritetit strategjik midis vendit të tij dhe Kinës, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, Araghchi theksoi rëndësinë e arritjeve të Kinës si një vend në zhvillim, që siç tha ai, “ofrojnë shpresë për kombet e tjera që përballen me sfida të ngjashme”.
Komentet e ministrit Araghchi vijnë pasi është planifikuar që ai këto dy ditë të qëndrojë për një vizitë në Kinë, me ftesë nga Pekini zyrtar. Ai përmendi natyrën e gjatë dhe gjithëpërfshirëse të marrëdhënieve midis Iranit dhe Kinës, duke theksuar se kjo ka qenë një tipar përcaktues për bashkëpunimin midis dy vendeve.
“Trashëgimia gjysmëshekullore e këtyre lidhjeve është pasuruar përmes urtësisë së liderëve të tyre dhe ka rezultuar në arritje të rëndësishme”, tha Araghchi. Dy vendet kanë forcuar besimin politik dhe bashkëpunimin me zbatimin e një plani 25-vjeçar të bashkëpunimit gjithëpërfshirës, tha Araghchi, gjë e cila ka përforcuar solidaritetin e ndërsjellë në fusha të ndryshme.
“Ky partneritet, i bazuar në themele të forta, mbulon një gamë të gjerë të fushave”, shtoi ai. Irani dhe Kina, sipas ministrit iranian, janë “të përkushtuara fuqishëm ndaj multilateralizmit dhe përfitimeve të bashkëpunimit kolektiv në ndjekje të prosperitetit global”.
Shefi i diplomacisë iraniane tha se dy vendet vazhdojnë të punojnë ngushtë në korniza shumëpalëshe si në Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait (SCO) si dhe në grupin BRICS që përbëhet nga Brazili, Rusia, Irani, Kina, Afrika e Jugut dhe disa vende të tjera.
Araghchi përsëriti se Irani dhe Kina do të qëndrojnë të vendosur kundër unilateralizmit dhe praktikave hegjemoniste. “Ne përkrahim zhvillimin, mirëqenien dhe miqësinë e Jugut Global. Ne jemi në anën e duhur të historisë në ndjekjen tonë të një rendi global të drejtë dhe bashkëpunues”, tha Araghchi.
– Irani respekton “sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial” të Sirisë
Më tej, Araghchi gjithashtu përsëriti respektin e Iranit për sovranitetin e Sirisë.
“Ne rikonfirmojnë respektin tonë për sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial të Sirisë. Populli sirian i vetëm do të vendosë për të ardhmen e vendit të tyre, i lirë nga imponimet apo ndërhyrjet e huaja”, tha ai, duke iu referuar ndryshimeve në Siri pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Asadit.
Araghchi theksoi se “të gjitha palët duhet të kuptojnë se janë njerëzit e rajonit që kanë fjalën përfundimtare në formësimin e fatit të tyre”.
Më 8 dhjetor, Asadi, lideri i Sirisë për pothuajse 25 vjet, u arratis në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut, duke i dhënë fund regjimit të partisë Baath, e cila ka qenë në pushtet në Siri që nga viti 1963.
Marrja e kontrollit erdhi pasi luftëtarët Hayat Tahrir al-Sham arritën kontrollin e qyteteve kyçe siriane në një ofensivë që zgjati më pak se dy javë.