Shefi i diplomacisë franceze: Evropa do t’i kundërvihet Trumpit

Ministri i Punëve të Jashtme i Francës, Jean-Yves Le Drian, tha se Evropa do të ngrihet kundër përpjekjeve të presidentit amerikan, Donald Trump, për të destabilizuar Bashkimin Evropian (BE) dhe për të çrregulluar bashkëpunimin ndërkombëtar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Le Drian për televizionin BFM deklaroi se Trump “nuk mund të tolerojë atë që ekziston një tërësi që quhet BE, por se Evropa nuk do të lejojë të destabilizohet”.

Shefi i diplomacisë franceze tha se Trump planifikon një udhëtim të bujshëm në Evropë. Le Drian, po ashtu, konsideron se Trump beson vetëm në marrëdhënie konfliktuese dhe e akuzoi se tenton të shkatërrojë përpjekjet multilaterale për nxitje të tregtisë, luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe kontrollin e aktiviteteve bërthamore iraniane.

Trump edhe këtë javë në Samitin e NATO-s në Bruksel shqetësoi aleatët evropianë, më pas fajësoi kryeministren britanike, Theresa May, se është shumë e butë në negociatat me BE-në lidhur me Brexit-in.