Shefi i diplomacisë belge: Turqia është një partner kyç për Brukselin

Bernard Quintin

Duke e përshkruar Türkiyen si një nga partnerët më të rëndësishëm të Belgjikës, ministri belg i Punëve të Jashtme, Bernard Quintin, ka theksuar lidhjen e fortë të krijuar nga një komunitet i gjallë me origjinë turke në vendin e tij, raporton Anadolu.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media në Ankara me homologun e tij turk, Hakan Fidan, ministri Quintin tha se “Türkiye është një nga partnerët më të rëndësishëm të Belgjikës”, duke theksuar komunitetin e konsiderueshëm turk në Belgjikë që forcon lidhjet midis dy vendeve.

Quintin tha se ata përkujtuan 60-vjetorin e Marrëveshjes së Punës Türkiye-Belgjikë në vitin 2024, duke shtuar se “sot, belgët turq janë një pjesë e rëndësishme e shoqërisë dhe vendit tonë”.

Më tej, ai theksoi se komuniteti turk ka fituar njohje jo vetëm në shoqërinë civile, por edhe në sferën politike në Belgjikë.

“Ne kemi disa kryetarë bashkie. Kemi disa ministra edhe me origjinë turke. Pra, kjo tregon se si në fakt në një kohë shumë të shkurtër komuniteti turk është integruar me të vërtetë në sistemin belg dhe kjo është arsyeja pse mendoj se është e rëndësishme që ne të mbajmë këtë dialog të rregullt që kemi midis dy vendeve tona në të gjitha nivelet”, tha Quintin.

Ai njoftoi se vëllimi i tregtisë midis Brukselit dhe Ankarasë ka arritur në 12 miliardë euro, me Türkiyen që renditet si partneri i katërt më i madh tregtar i Belgjikës jashtë Bashkimit Evropian (BE).

“Pra, kjo është shumë e rëndësishme për ne, por unë e di që ne mund të bëjmë akoma më mirë se kaq”, tha ai.

Shefi i diplomacisë belge riafirmoi mbështetjen e Belgjikës për procesin e anëtarësimit të Türkiyes në BE dhe modernizimin e Unionit Doganor.

“Ju mund të mbështeteni në një përditësim të unioneve doganore që do të jetë një fitore e favorshme për të dyja palët. Ju gjithashtu mund të mbështeteni tek ne si një vend kandidat për t’ju mbështetur në këtë rrugë (drejt BE-së)”, tha Quintin, duke theksuar rëndësinë e procesit të zgjerimit të BE-së të bazuar në merita.

– Situata në Siri dhe lufta e Izraelit kundër Palestinës

Më tej, ministri belg foli edhe për administratën e re të Sirisë, duke theksuar se “ne pa dyshim duam të mbështesim qeverinë e re”.

“Ne ua kemi përmendur këtë atyre tashmë. Unë javën e kaluar dërgova të dërguarin tim të posaçëm për Lindjen e Mesme në Damask për të folur me këtë administratë të re, duke thënë se ne jemi të gatshëm t’i mbështesim ata”, tha Quintin.

Ai po ashtu theksoi përkushtimin e Belgjikës për integritetin territorial të Sirisë, mbrojtjen e pakicave dhe qeverisjen e bazuar në ligjin ndërkombëtar.

Derisa shprehu gatishmërinë për të lehtësuar sanksionet kundër Sirisë, Quintin theksoi rëndësinë e veprimeve konkrete nga Damasku.

“Fjalët janë të rëndësishme dhe sigurisht në politikë, por edhe faktet janë të rëndësishme. Kështu që ne do t’i gjykojmë ata sipas veprave të tyre”, tha ai.

Ai gjithashtu përsëriti mbështetjen e Belgjikës për kthimin vullnetar të refugjatëve sirianë.

“Ne jemi gjithashtu shumë të prirur t’ju mbështesim në ndihmën për kthimin e refugjatëve. Kjo duhet të bëhet së bashku me rregullat për kthimin e refugjatëve, por ata duhet të ndihmojnë rindërtimin e Sirisë dhe të mos jenë barrë. Pra, kjo është shumë e rëndësishme dhe ne jemi plotësisht të prirur t’ju ndihmojmë juve (Türkiyes)”, tha ai.

Bashar al-Asadi, lideri i Sirisë për pothuajse 25 vite, më 8 dhjetor u arratis në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila ka qenë në pushtet që nga viti 1963.

Marrja e kontrollit erdhi pasi luftëtarët e Hayat Tahrir al-Shamit arritën kontrollin në qytetet kryesore me një ofensive që zgjati më pak se dy javë. Një administratë e re e udhëhequr nga Ahmed al-Sharra ka marrë tani përgjegjësinë.

Duke folur për luftën e Izraelit kundër Palestinës, ministri belg bëri thirrje për t’i dhënë fund dhunës dhe për lirimin e pengjeve.

“Pra, dhuna duhet të ndalet, ndihma humanitare duhet të rrjedhë dhe pengjet duhet të lirohen dhe më pas ne duhet të ndihmojmë izraelitët dhe palestinezët të ulen së bashku në tryezë për të punuar për të vetmen zgjidhje të mundshme që është në tryezë për momentin, zgjidhja me dy shtete”, theksoi Quintin.

Ai gjithashtu tha se vendi i tij do të zbatojë çdo vendim të marrë nga gjykatat ndërkombëtare në lidhje me Izraelin dhe zyrtarët izraelitë.

Pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, ushtria izraelite vazhdon me luftën gjenocidale në Gaza e cila që nga 7 tetori i vitit 2023 ka vrarë të paktën 45.600 viktima, kryesisht gra dhe fëmijë.

Në muajin nëntor, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi ​​urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli për luftën në enklavën palestineze po ashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.