Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shefi i CENTCOM-it: Evakuimi nga qyteti Rafah do të zgjaste me javë

Shefi i CENTCOM-it: Evakuimi nga qyteti Rafah do të zgjaste me javë

Kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), Michael Kurilla, ka deklaruar se një evakuim i palestinezëve nga qyteti Rafah në jug të Gazës do të zgjaste me javë, transmeton Anadolu.

Kjo ishte përgjigja e shefit të CENTCOM-it i pyetur nga një ligjvënës në Komitetin e Shërbimeve të Armatosura të Senatit Amerikan nëse 1.3 milionë banorë mund të zhvendosen nga Rafah për një pushtim të mundshëm të Izraelit “brenda dy javësh”.

Kurilla tha se nuk mund të japë një afat kohor “pa e parë planin e tyre përfundimtar”, përkatësisht planin izraelit.

“Unë nuk e di një vend për momentin”, u përgjigj Kurilla i pyetur nëse ka një vend në Gaza që është formuar për të strehuar 1.3 milionë njerëz nëse ata zhvendosen nga Gaza.

Izraeli njoftoi planet për të kryer një “aktivitet të madh” në Rafah pas evakuimit të palestinezëve në perëndim të qytetit.

Kurilla tha se ai bisedon me shefin e mbrojtjes izraelite në “bazë rutine”, duke shtuar se, “Unë nuk i këshilloj ata për operacionet ushtarake aktuale të përditshme”.

Ai tha se zyrtarët ushtarakë izraelitë i kanë thënë atij se “ata nuk do të ndërmarrin veprime derisa të kenë aftësinë për të mbrojtur civilët dhe për t’i larguar ata nga zona”.

“Nuk mendoj se ata e kanë finalizuar planin për këtë. Unë nuk jam në dijeni të planeve të tyre aktuale që të jenë në gjendje të bëjnë zbutjen e dëmit civil në Rafah”, tha ai.

I pyetur për “fazën e fundit të luftës ushtarake të Izraelit për Gazën”, Kurilla tha se, “Unë mendoj se ata ende janë duke punuar për këtë”.

Ai gjithashtu përsëriti se nuk ka “asnjë plan” për të vendosur “çizmet” e SHBA-së në terren.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit i udhëhequr nga Hamasi, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz.

Afër 32 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në Gaza dhe rreth 74.200 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes një bllokade të shumicës së ushqimeve, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

 

Exit mobile version