Shefi ekzekutiv i firmës bioteknologjike gjermane BioNTech, e cila ka krijuar vaksinën e parë kundër koronavirusit së bashku me kompaninë farmaceutike amerikane Pfizer, tha se deri kah mesi i vitit 2022 mund të duhet një formulë e re për mbrojtje kundër mutacioneve të ardhshme të virusit.
Ugur Sahin tha për gazetën Financial Times se me kalimin e kohës, mutacionet në virus e zvogëlojnë përgjigjen imune të trupit.
Këtë vit, nuk është e nevojshme vaksina e re, por “nga mesi i vitit të ardhshëm, mund të jetë një situatë tjetër”, tha Sahin.
Sahin tha se varianti Delta i koronavirusit – aktualisht dominues në pjesën më të madhe të botës – është më ngjitës, por jo thelbësisht i ndryshëm për t’i bërë vaksinat aktuale joefektive.
Por, shtoi ai, derisa virusi vazhdon të pësojë mutacione, ai mund të dobësojë efektivitetin e vaksinave.
“Ky virus do të qëndrojë dhe do të përshtatet tutje”, tha Sahin.
Vaksina Pfizer/BioNTech përdor teknologjinë e njohur si ARNm.
Sahin ka thënë më herët se ajo mund të ndryshohet shpejt, për t’iu përgjigjur varianteve të reja të virusit.
Sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins në SHBA, koronavirusi ka prekur mbi 234 milionë njerëz në të gjithë botën. Prej tyre, mbi 4.8 milionë kanë vdekur.
Deri të hënën, në të gjithë botën janë dhënë mb6 6.3 miliardë vaksina. /rel