Shefi i BE-së në Kosovë: Ne mbështesim Specialen, ajo duhet të punojë pa ndërhyrje nga jashtë

Tomáš Szunyog është shefi i ri i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë që ka zëvendësuar Natalyia Apostolovan. Szunyog në një intervistë për lajmi.net ka folur rreth punës së Gjykatës Speciale e cila kohëve të fundit është treguar shumë aktive.

Szunyog për lajmi.net ka lënë të kuptohet se angazhimi i Kosovës për krijimin e Dhomave të Specializuara ka qenë i mirëpritur nga Bashkimi Evropian.

Ai më tutje është shprehur se BE e mbështet fuqishëm punën e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, shkruan lajmi.net.

Në fund, Szunyog shprehet se e sheh të rëndësishme punën e pavarur dhe pa ndërhyrje nga jashtë të kësaj Gjykate.

“Në vitin 2015 Kosova mori një angazhim të qartë me BE-në dhe me pjesën tjetër të bashkësisë ndërkombëtare për të krijuar Dhomat e Specializuara. BE vazhdon të jetë mbështetëse e fortë e punës së Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Është veçanërisht e rëndësishme që ata të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe pa ndonjë ndërhyrje nga jashtë.”, tha ai për lajmi.net.

Szunyog në një intervistë për lajmi.net ka folur rreth qëllimeve të tij në detyrën e re, për sfidat me të cilat përballet Kosova – aspektin zhvillimor të vendit dhe këndvështrimin e Bashkimit Evropian mbi Kosovën.Ai ka folur për liberalizimin e vizave dhe për ndryshimet që duhet të ndodhin në proceset integruese dhe shtetformuese të Kosovës.