Fotoreporterët e guximshëm vazhdojnë të rrezikojnë jetën e tyre për t’i ekspozuar krimet kundër njerëzimit në Rripin e Gazës, tha sot presidenti dhe shefi ekzekutiv i Agjencisë Anadolu Serdar Karagoz ndërsa vlerësoi fituesit e vitit 2025 të Istanbul Photo Awards.
Këtë vit, fotografi palestinez Saeed Jaras fitoi çmimin e Fotografisë së Vitit për veprën e tij të titulluar “Gaza-Deir al-Balah” për Imazhet e Lindjes së Mesme.
“Fotografia tregon vuajtjet e papërshkrueshme të prindërve, fëmijët e të cilëve u vranë në një sulm ajror izraelit”, tha Karagoz. “Jaras dhe fotografë të guximshëm si ai vazhdojnë të ndërmarrin rreziqe të mëdha për të informuar botën për krimet kundër njerëzimit në Gaza”, shtoi ai.
Konkursi prestigjioz ka tërhequr aplikime nga 20.000 fotografë në mbarë botën që nga viti i parë. Istanbul Photo Awards 2025 prezantoi fotografë të njohur si Hannah McKay dhe Mads Nissen, së bashku me talente të pavarur nga një gamë e ndryshme vendesh, duke përfshirë Kinën dhe Italinë.
Paraqitjet e këtij viti shfaqin dukshëm dinamikën e ndryshimit në Siri, krahas luftës në Gaza. Karagoz tha se skena siriane, e cila ka qenë relativisht e qetë që nga viti 2016, mori sërish vrull me rënien e regjimit të Bashar Asadit.
Në kategorinë “Lajm rrëfim”, Samuel Nacar mori çmimin e dytë për veprën “Hijet tashmë kanë emra”, e cila dokumentoi të mbijetuarit e burgut famëkeq Sednaya të Sirisë për “Revista 5W”. Sameer Al-Doumy i AFP-së fitoi çmimin e dytë në kategorinë “Jeta e përditshme-fotografi tek” për veprën “Nën mbresat e luftës”.
Karagoz nënvizoi se konkursi prezantoi një nderim të veçantë për Marion Mertens, një tregimtare vizuale dhe ish-anëtare e jurisë që vdiq në dhjetor, duke e riemërtuar kategorinë “Jeta e përditshme-fotografi tek” me emrin e saj për të përjetësuar kujtimin e saj. Fotografi palestinez Mahmoud Zaki Salem Issa fitoi kategorinë me përshkrimin e tij të fuqishëm të krizës së urisë në Gaza.
“Istanbul Photo Awards është bërë më shumë se një konkurs – është një pikë takimi globale për komunitetin e fotografisë”, tha Karagoz, i cili njoftoi ekspozita në mbarë botën dhe ngjarje inovative ku do të shfaqen veprat fituese.
Karagoz uroi fotografët fitues dhe përfundoi duke thënë se Anadolu do të vazhdojë ta çojë më tej konkursin çdo vit.