Regjimi sirian i Bashar al Assad ka ndërtuar dhe po e përdor një krematorium në burgun ushtarak Sednaya afër Damaskut, për të fshehur trupat e ekzekutuar të të burgosurve që ndodhen brenda objektit. Lajmi u bë i ditur nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
“Mijëra të burgosur të ekzekutuar janë hedhur në varre masive në vitet e fundit”, tha ndihmës sekretari i shtetit Stuart Jones. “Për shkak të numrit jashtëzakonisht të madh të vrasjeve masive, atëherë ata përdorën krematoriumin, në mënyrë që të fshehin provat e krimeve”, tha Jones.
“Ne besojmë se ndërtimi i këtij krematoriumi është përpjekje për të fshehur gjurmët e vrasjeve masive që ndodhin në burgun Sednaya,” tha ai në një konferencë për gazetarët.
Jones tha se regjimi sirian nuk ka bërë dallim mes kryengritësve dhe civilëve të paarmatosur, duke rrëmbyer dhe torturuar të burgosurit civilë, dhe duke autorizuar “vrasjet pa gjyq të mijëra qytetarëve.
Departamenti i Shtetit shpërndau fotografitë satelitore që tha se dokumenton ndërtimin gradual të objektit jashtë kompleksit kryesor të burgjeve. Jones tha se informacioni “i ri i deklasifikuar” për këtë dhe mizoritë e tjera nga qeveria e Presidentit Bashar al-Assad erdhi nga “vlerësimet e komunitetit të inteligjencës”, si dhe nga organizatat joqeveritare si Amnesty International /MESAZHI/