SHBA, vazhdon heqja e vizave ndaj studentëve të huaj që kundërshtojnë gjenocidin në Palestinë

Pas dekretit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për dëbimin e studentëve që kanë marrë pjesë në protestat në mbështetje të Palestinës, vazhdojnë heqjet e vizave ndaj studentëve dhe të diplomuarve në mbarë vendin, transmeton Anadolu.

Sipas lajmeve në mediat amerikane, qindra studentëve që po vazhdojnë të studiojnë ose kanë përfunduar rishtazi studimin në universitetet kryesore të vendit u janë hequr vizat.

Rektori i Universitetit të Californias (UCLA), Julio Frenk, në deklaratën e tij konfirmoi heqjen e vizave ndaj 6 studentëve aktualë dhe 6 të diplomuarve.

Njëlloj, Universiteti California Berkeley njoftoi se 6 studentë dhe Universiteti Stanford 4 studentë dhe 2 të diplomuar ishin prekur në mënyrë të ngjashme nga vendimi.

Nga ana tjetër, janë anuluar edhe vizat e 4 studentëve ndërkombëtarë që studiojnë në Universitetin Columbia.

Presidenti amerikan, Donald Trump, më 30 janar nënshkroi një urdhër ekzekutiv që hap derën për dëbimin e studentëve demonstrues pro-palestinezë, në një përpjekje që ai tha se synon të luftojë antisemitizmin.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka bërë të ditur se SHBA-ja anuloi të paktën 300 viza studentore të huaja si pjesë e goditjes së vazhdueshme ndaj studentëve dhe akademikëve pro-palestinezë.

Rümeysa Öztürk, 30-vjeçe, studente PhD dhe me bursë Fulbright, më 25 mars u arrestua nga Agjencia e Imigracionit dhe Zbatimit të Doganave (ICE) pranë shtëpisë së saj në Somerville, Massachusetts, ndërsa po shkonte për një darkë iftari.

Më parë në SHBA u arrestua aktivisti palestinez Mahmoud Khalil, i cili kishte diplomuar në Universitetin Columbia pak kohë më parë.