Protestat vazhduan të shtunën për ditën e pestë radhazi në disa pjesë të SHBA-së në shenjë pakënaqësie për vdekjen e George Floyd, afro-amerikanit të paarmatosur që vdiq pasi u arrestua nga një ish-polic i bardhë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në kryeqytetin e vendit, Washington, vendi i tubimit ishte Lafayette Park, afër Shtëpisë së Bardhë, ku mijëra njerëz, përfshirë të bardhë dhe muslimanë, u mblodhën të shtunën vonë.
Protestuesit brohorisnin “Nuk mund të marr frymë”, “Jeta e të zinjëve është e rëndësishme” dhe “Nuk ka drejtësi, nuk ka paqe!”, midis tjerash, për natën e dytë me radhë. Gjashtë veta u arrestuan gjatë protestave të premten në mbrëmje, sipas Shërbimit Sekret të SHBA-së.
Demonstruesit hoqën barrikadat e sigurisë, hodhën shishe me ujë në drejtim të policisë dhe brohorisnin parulla kundër presidentit Donald Trump.
Garda Kombëtare i doli në ndihmë Policisë në Park dhe Shërbimit Sekret, pasi më shumë protestues u mblodhën në vendin e ngjarjes. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
Protestat e para shpërthyen pasi Floyd, 46 vjeç, vdiq pasi oficeri tashmë i shkarkuar dhe i arrestuar Derek Chauvin i vuri gjurin në qafë gjatë arrestimit fatal në Minneapolis të Minesotas të hënën.
Chauvin, 44 vjeç, u arrestua të premten dhe u akuzua për vrasje të shkallës së tretë dhe vrasje të shkallës së dytë, por kjo nuk e shuajti zemërimin në lidhje me brutalitetin dhe dhunën e policisë.
Tre oficerë të tjerë policorë, të përfshirë në vdekjen e Floidit, fjalët e fundit të të cilit ishin “Nuk mund të marr frymë”, u pushuan së bashku me Chauvin por nuk janë akuzuar.