SHBA: Turqia le të vijë me ne, e jo me Rusinë

Shtetet Perëndimore mund t’i ofrojnë Turqisë më shumë përfitime sesa mund të bëjnë Irani dhe Rusia, deklaroi sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson.

“Irani dhe Rusia nuk do të mund t’ia ofrojnë popullit turk ato përfitime ekonomike dhe politike të cilat do t’i përfitonin nga anëtarësimi në komunitetin e kombeve Perëndimore”, tha Tillerson, pa specifikuar se si do të duken ato përfitime, raporton Anadolu Agency (AA).

Komentet e tij u bënë në një debat të think tank-ut Wilson Center, në kohën kur presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, po takohej në Soçi të Rusisë me presidentin rus, Vladimir Putin dhe liderin iranian, Hassan Rouhani, për të diskutuar rreth konflikteve në Siri.

Tillerson tha se SHBA-të dhe aleatët e saj evropianë tashmë janë pajtuar se Bashar al-Asadi është përgjegjës dhe përmes sanksioneve do të ushtrojnë trysni për të zgjidhur konfliktin civil sirian.

“Sa i përket konfliktit në Siri, partnerët tanë evropianë do të duhet të vazhdojnë të jenë avokatë të fortë të procesit të Gjenevës i cili është nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara”, tha Tillerson, për të shtuar se kjo mund të jetë një pikënisje për rindërtimin e Sirisë dhe zbatimin e një zgjidhjeje politike, “në të cilën nuk ka vend për regjimin e Asadit, familjen e tij dhe as për qeverinë e tij.”

Tillerson ka ripërsëritur zotimin e SHBA-ve për detyrimet që ka ndaj shteteve anëtare të NATO-s, duke shtuar se SHBA-të do të jenë vendi i parë që do të reagojë, nëse sulmohet ndonjë aleat i saj evropian. Komentet e tij kishin për qëllim të zbusin shqetësimet evropiane se administrata e Trumpit mund të braktisë Aleancën nëse anëtarët evropianë nuk rrisin shpenzimet në mbrojtje.