Autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) kërkojnë nga autoritetet e Gjermanisë që të dërgojnë ushtarë në Sirinë e përfshirë nga lufta, raporton Anadolu Agency (AA).
“Nga ushtria gjermane presim që të mund t’i zëvendësojë forcat amerikane në veri të Sirisë”, tha i dërguari special i SHBA-ve për Sirinë, James Jeffrey.
Jeffrey në intervistë për gazetën “Welt am Sonntag” tha se Gjermania tashmë në mënyrë aktive merr pjesë në procesin politik të zgjidhjes së krizës në Siri, si dhe në luftën kundër organizatës terroriste DEASH dhe shtoi se Uashingtoni pret nga Berlini edhe mbështetje konkrete në kuptimin ushtarak.
Ai tha se SHBA-të kërkojnë partner në luftën kundër DEASH-it i cili vullnetarisht do të intensifikojë aktivitetet ushtarake, ndërsa pikërisht Gjermania është vendi prej së cilës kërkohet një gjë e tillë.
“Nuk është patjetër që të dërgohen njësite luftarake. DEASH në mënyrë më efikase mund të mposhtet në bashkëpunim me forcat lokale në Siri. Megjithatë, ndihmë anësore është e nevojshme kur është fjala për operacionet ajrore, logjistikë dhe stërvitje”, tha Jeffrey.
Duke theksuar se qëllimi është që tërësisht të shkatërrohet DEASH-i, Jeffrey tha se në veri të Sirisë nevojitet të vendoset stabilitet ku terroristët nuk do të mund të riorganizoheshin.
“SHBA-të dëshirojnë që në Siri të fillojnë reformat politike nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara dhe forcat iraniane tërësisht të tërhiqen nga ky vend”, porositi Jeffrey.