Agjencia e lajmeve “Reuters” ka publikuar një artikull mbrëmë ku shkruan se administrata e presidentit Joe Biden është në kërkim të shteteve aleate që mund të strehojnë një pjesë të dhjetëra mijëra shtetasve afganë të cilët po largohen nga vendi së bashku me tërheqjen e ushtrisë amerikane, për shkak se rrezikohen nga regjimi i ri i talebanëve.
“Reuters” njofton se administrata Biden ka kontaktuar edhe me qeverinë shqiptare dhe atë të Kosovës, për të marrë një pjesë të tyre, por ende nuk ka asgjë zyrtare, teksa burimet e agjencisë janë konfidenciale dhe autoritetet zyrtare të dy shteteve nuk kanë pranuar të komentojnë.
Deri tani 1200 afganë janë evakuuar drejt SHBA-ve dhe 3500 të tjerë janë në pritje të vizës. Washington-i ka tentuar të komunikojë dhe me Kazakistanin, Taxhikistanin dhe Uzbekistanin, por sipas “Reuters” negociatat kanë qenë të pasuksesshme.
Në shkëmbim të strehimit të një numri afganësh qeveria amerikane është e gatshme të bëjë koncesione ekonomike dhe të ofrojë ndihma materiale dhe diplomatike për shtetet.
Refugjatët afganë, që përllogariten të jenë rreth 80 mijë kanë bashkëpunuar në një mënyrë ose një tjetër me autoritetet amerikane apo kanë një stil jetese që bie ndesh me radikalizmin e talibanëve. Nga Afganistani raportohet se qytetet që merren në kontroll nga talibanët i nënshtrohen ekzekutimeve të gjitha gratë që punojnë në media apo në funksione shtetërore dhe çdo njeri që dyshohet si “liberal”, apo ka bashkëpunuar në çdo formë me autoritetet perëndimore. /tiranapost