Ballina Lajmet Rajon dhe Botë SHBA shpreh “shqetësim të thellë” pas vrasjes së kameramanit të pavarur të...

SHBA shpreh “shqetësim të thellë” pas vrasjes së kameramanit të pavarur të AA-së

SHBA shprehu “shqetësim të thellë” për numrin “e paprecedentë” të gazetarëve të vrarë në Rripin e Gazës, pas vrasjes së Saed Abu Nabhan, kameramanit të pavarur të AA-së, i cili u qëllua për vdekje ushtria izraelite me armë me rreze të gjatë, raporton Anadolu.

“Ne i kemi parë këto raporte”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Anadolu në kushte anonimiteti kur u pyet për vrasjen e Nabhan-it, duke shtuar:

“Siç ka thënë vetë sekretari, ne ofrojmë ngushëllimet tona të thella për shumë gazetarë palestinezë të vrarë ose të plagosur gjatë kësaj lufte, dhe për të gjitha ato që i kanë vuajtur teksa i sjellin këto raportime nga terreni në pjesën tjetër të botës”.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga numri i paprecedentë i gazetarëve të vrarë në Gaza dhe vazhdojmë të angazhohemi me Izraelin për rëndësinë e mbrojtjes së gazetarëve dhe të gjithë civilëve gjatë konfliktit”, tha zëdhënësi.

“Ne kemi qenë absolutisht të qartë se Izraeli ka një detyrim moral dhe një imperativ strategjik për të mbrojtur civilët, përfshirë gazetarët, dhe për të hetuar akuzat për çdo keqbërje, duke siguruar përgjegjësi të menjëhershme dhe transparente për çdo abuzim apo shkelje”, shtoi ai.

Abu Nabhan u vra teksa ndiqte një operacion ushtarak izraelit në kampin e refugjatëve Al-Jadeed në rajonin Nuseirat të pjesës qendrore të Rripit të Gazës. Dëshmitarët raportuan se ushtria izraelite rrethoi një zonë dhe më pas shënjestroi individë, duke përfshirë gazetarë.

Në pamjet shfaqet Abu Nabhan duke u përpjekur të largohej me kamerën dhe pajisjet e tij kur ai u vu në shënjestër nga ajo që duket të jetë një e shtënë nga një pushkë me rreze të gjatë që e goditi atë. Personat tjerë që ishin aty pranë nuk kishin mundësi të arrinin menjëherë te Abu Nabhan-i për shkak të kërcënimit për t’u shënjestruar nga plumbat izraelitë.

25-vjeçari Saed Abu Nabhan ishte i martuar dhe babai i një fëmije.

Nga ana tjetër, raportohet se të paktën një person ka humbur jetën nga bombardimet e avionëve luftarakë izraelitë në një shtëpi në lagjen Shuja’iyya në Gaza, ndërsa të vdekurit dhe të plagosurit janë transferuar në Spitalin Baptist Al-Ahli.

Me vrasjen e Abu Nabhan-it, numri i gazetarëve të vrarë në sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 është rritur në 203. Përpos kësaj, sipas raportimeve, 399 gazetarë janë plagosur, ndërsa 43 të tjerë janë kapur.

Exit mobile version