SHBA, senatori demokrat thyen rekordin me fjalimin 25 orësh kundër Trumpit

Senatori demokrat Cory Booker

Senatori demokrat Cory Booker i cili ka protestuar kundër politikave të presidentit amerikan Donald Trump, theu rekordin për “fjalimin më të gjatë në Senat” me fjalimin 25 orësh që mbajti në foltoren e Asamblesë së Përgjithshme, transmeton Anadolu.

Booker u vendos në rend dite me fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Senatit të SHBA-së të cilin e filloi në orën 19:00 të së hënës me orën lokale dhe e përfundoi atë 25 orë e 4 minuta më vonë.

Booker theu rekord në fjalimin e tij i cili u transmetua drejtpërdrejt edhe nga mediat amerikane duke kritikuar shkurtimet e buxhetit të administratës së Trumpit, pushimet nga puna në administratën federale dhe operacionet e reduktimit të buxhetit nën Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë (DOGE).

“Për aq kohë sa mundem fizikisht unë ngrihem në këmbë me qëllimin për të prishur punët normale të Senatit të SHBA-së. Unë ngrihem sonte sepse besoj se vendi ynë është në krizë”, tha Booker në fillim të fjalës së tij duke vazhduar fjalimin e tij gjatë gjithë natës deri të martën në mbrëmje.

Ai foli për të gjitha çështjet kryesore në axhendën kombëtare, përfshirë sigurimet shoqërore, Medicaid dhe imigracionin.

Booker, i cili nuk u pengua të fliste sepse nuk pengoi asnjë punë legjislative apo shkeli ndonjë ndalesë, nuk u largua aspak nga podiumi në mënyrë që Asambleja e Përgjithshme e Senatit të mos pushonte dhe të mos shpërndahej.

Fjalimi i tij i cili zgjati 25 orë e 4 minuta, u regjistrua si “fjalimi më i gjatë në historinë e Senatit” ndërsa Booker deklaroi se qëllimi i tij ishte të tërheqë vëmendjen ndaj “politikave të gabuara” të Trumpit.

Fjalimi më i gjatë i mbajtur ndonjëherë në Senatin amerikan u mbajt nga senatori Strom Thurmond i cili vdiq në vitin 2003, në një fjalim 24-orësh dhe 18-minutësh për të kundërshtuar Aktin e të Drejtave Civile në vitin 1957.