SHBA sanksionon 11 kompani kineze për abuzime me të drejtat e ujgurëve

Departamenti i Tregtisë i SHBA-ve ka kufizuar qasjen e 11 subjekteve kineze në teknologjitë amerikane për përfshirjen e tyre në abuzime të të drejtave të njeriut kundër pakicës Ujgure në Xinjiang, në veri-perëndim të Kinës, transmeton Anadolu Agency (AA)

Departamenti amerikan përmes një deklarate tha se ky veprim “do të rezultojë që këto kompani të përballen me kufizime të reja në qasjen në artikujt me origjinë amerikane, përfshirë mallrat dhe teknologjinë”.

Ai akuzoi kompanitë se ishin implikuar në “shkeljen e të drejtave të njeriut dhe abuzime në zbatimin e fushatës së Republikës Popullore të Kinës (PRC) për shtypje, arrestim masiv arbitrar, punë të detyruar, mbledhje të pavullnetshme të të dhënave biometrike dhe analiza gjenetike që synojnë grupet e pakicës muslimane nga rajoni autonom Ujgur në Xinjiang (XUAR)”.

Sekretari i Tregtisë, Wilbur Ross, tha se hapi ishte ndërmarrë për të siguruar se mallrat amerikane nuk përdoren nga regjimi “shtypës” i Pekinit.

“Pekini në mënyrë aktive promovon praktikën e dënueshme të punës së detyruar dhe skemave abuzive të mbledhjes dhe analizës së ADN-së për të shtypur qytetarët e saj”, tha Ross.

“Ky veprim do të sigurojë që të mirat dhe teknologjitë tona nuk përdoren në ofensivën e përbuzshme të Partisë Komuniste Kineze kundër popullsisë së pambrojtur të pakicave muslimane”, shtoi ai.

Kufizimet goditën Changji Esquel Textile Co. Ltd., Hefei Bitland Information Technology Co. Ltd., Hefei Meiling Co. Ltd., Hetian Haolin Hair Accessories Co. Ltd., Hetian Taida Apparel Co., Ltd., KTK Group, Nanjing Synergy Textiles Co. Ltd., Nanchang O-Film Tech and Tanyuan Technology Co. Ltd., për shkak të punës së detyruar.

Xinjiang Silk Road BGI dhe Pekin Liuhe BGI u sanksionuan gjithashtu për kryerjen e analizave gjenetike.

Rajoni Xinjiang është vendstrehim për rreth 10 milion Ujgur. Grupi musliman turk, i cili përbën rreth 45 përqind të popullsisë së Xinjiangut, prej kohësh akuzon autoritetet e Kinës për diskriminim kulturor, fetar dhe ekonomik.

Sipas zyrtarëve amerikanë dhe ekspertëve të OKB-së, deri në 1 milion njerëz ose rreth 7 për qind e popullsisë muslimane në Xinjiang janë burgosur në një rrjet gjithnjë e në rritje të kampeve “të riedukimit politik”.