SHBA, rritet në 15 numri i të vdekurve në sulmin me furgon në New Orleans

Numri i të vdekurve në sulmin me furgon në New Orleans, Luiziana të SHBA-së është rritur në 15, transmeton Anadolu.

Përpos kësaj, 35 persona të tjerë u raportuan të plagosur kur furgoni kaloi nëpër “Lagjen franceze” dje rreth orës 3:15 të mëngjesit sipas kohës lokale. Zona është e njohur nga turistët dhe është një pikë qendrore për festimet e Vitit të Ri.

“Do të duhen disa ditë për të kryer të gjitha autopsitë. Pasi të përfundojmë autopsitë dhe të flasim me të afërmit, do të publikojmë identifikimin e viktimave”, tha dje mjeku Dwight McKenna nga New Orleans.

Policia tha se për të kryer sulmin, sulmuesi e çoi furgonin nëpër trotuar, rreth një makine policie që ishte parkuar për të bllokuar trafikun në zonë. Rreth 400 oficerë më pas u dërguan për të mbrojtur zonën.

FBI-ja ka thënë se nuk beson se njeriu që përplasi furgonin në festimet e Vitit të Ri, i cili është identifikuar si Shamsud-Din Jabbar, një shtetas amerikan 42-vjeçar dhe veteran ushtarak, ka vepruar i vetëm.

“Ne nuk besojmë se Jabbar ishte i vetmi përgjegjës. Ne po punojmë në mënyrë agresive në çdo drejtim, duke përfshirë ata të bashkëpunëtorëve të tij të njohur”, u tha gazetarëve në një konferencë për media Alethea Duncan, ndihmës agjentja speciale e FBI-së në krye të zyrës në New Orleans.

“Ne nuk mund të hyjmë në detaje në lidhje me historinë e subjektit. Ajo që mund t’ju them është se personi ishte një veteran i ushtrisë. Ne besojmë se ai u lirua nga detyra me nder, por ne po punojmë përmes këtij procesi, duke zbuluar të gjithë këtë informacion”, shtoi Duncan.

Jabbar, nga Teksasi, ishte identifikuar më parë nga byroja si i dyshuar për sulmin terrorist.

I pyetur se sa bashkëpunëtorë besojnë që kishte Jabbar, Duncan tha se “janë disa të dyshuar”.

Sipas burimeve të cituara nga ABC News, policia në New Orleans ka shqyrtuar pamjet e kamerave të sigurisë që duket se tregojnë disa individë duke vendosur pajisje të mundshme shpërthyese përpara sulmit me automjet.

Autoritetet po punojnë për identifikimin e personave të parë në kamera dhe vënien e tyre në paraburgim. Ndërkohë, barrikadat e çelikut nuk ishin ngritur në një rrugë në momentin e incidentit.

– Gjendje e jashtëzakonshme

Guvernatori i Luizianës, Jeff Landry, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për të lehtësuar bashkëpunimin midis agjencive federale, shtetërore dhe lokale “për të sjellë të gjitha burimet e nevojshme dhe për të garantuar sigurinë e këtij qyteti”. Ai më tej mobilizoi një kompani të policisë ushtarake për të ndihmuar forcat e zbatimit të ligjit.

“Është e rëndësishme që qytetarët tanë dhe turistët të dinë se ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të garantuar sigurinë e tyre në këtë qytet. Duam ta bëjmë të qartë: ‘Superdome’ dhe zona përreth janë të sigurta”, tha ai.

Sugar Bowl, ndeshja e kampionatit të futbollit amerikan në nivel të kolegjeve, që ishte paraparë të luhej në “Superdome” ditën e Vitit të Ri, është shtyrë deri të enjten.

Sipas FBI-së, brenda furgonit u gjetën armë të shumta, një flamur i grupit terrorist DEASH dhe një eksploziv i mundshëm i improvizuar.

Gjithashtu, autoritetet njoftuan se dy pajisje të tjera të mundshme të improvizuara eksplozive u gjetën në “Lagjen franceze” dhe u neutralizuan.