Ballina Lajmet Rajon dhe Botë SHBA, ritmi i lindjeve në nivelin më të ulët në rreth 50...

SHBA, ritmi i lindjeve në nivelin më të ulët në rreth 50 vjet

Të dhënat e reja tregojnë se niveli i lindjeve në Shtetet e Bashkuara ra ndjeshëm mes komuniteteve racore kryesore dhe për çdo grupmoshë gjatë vitit të kaluar.

Ekspertët pjesërisht fajësojnë për këtë pasigurinë e shkaktuar nga koronavirusi, por ata gjithashtu thonë se rënia e madhe e nivelit të lindjeve gjatë pandemisë në Shtetet e Bashkuar reflekton prirjet për një kohë të gjatë në vendet e tjera të zhvilluara.

Rënia prej katër përqind e ritmit të lindjeve përfshiu çdo racë dhe etni të madhe dhe pothuajse çdo grupmoshë, madje edhe gratë e moshave 30 dhe 40 vjeçare, që në vitet e kaluara kishin parë rritje të nivelit të lindjeve.

“Midis vitit 2019 dhe 2020, ne pamë një rënie prej katër përqind si në numrin e lindjeve ashtu edhe në nivelin e përgjithshëm të lindshmërisë, e cila ishte pak e jashtëzakonshme”, tha në një intervistë për Zërin e Amerikën eksperti i Qendrës Kombëtare për Statistikat e Shëndetit, Brady Hamilton.

Ekspertët thonë se pandemia COVID-19 sigurisht që kontribuoi në rënien e madhe të vitit të kaluar. Por ata gjithashtu fajësojnë ankthin ekonomik, pasi sigurimet shëndetësore të shumë amerikanëve financohen nga punëdhënësi i tyre.

“Kujdesi për fëmijët është shumë i shtrenjtë, dhe për këtë arsye një vend i sigurt pune është një faktor që ndikon në këtë. Unë mendoj se një nga pasojat e pandemisë është pasiguria mbi vendin e punës”, thotë eksperti i shëndetit, Brady Hamilton.

Deidre Miller, infermiere në departamentin e gjinekologjisë thotë se kostoja është një faktor i rëndësishëm për ata që duan fëmijë, veçanërisht gjatë pandemisë së Covid-19.

“Një nga pyetjet kryesore që dëgjojmë nga pacientët është se çfarë fature do të marrin për lindjet, madje edhe gjatë ultrazërit. Sa do të kushtojë? Unë linda vajzën time në Mars të vitit të kaluar dhe kostoja ishte një faktor i madh. Mund të kisha marrë kujdes më të mirë në një spital më të madh. Por ky ishte shqetësimi im, a do ta marr një faturë të madhe, 30,000 ose 36,000 mijë dollarë për qëndrimin në spital”, tha për Zërin e Amerikës infermierja Deidre Miller.

Ndërsa prirja që lidhet me frikën nga faturat e paparashikueshme është një faktor i rëndësishëm, situata në përgjithësi është e njëjtë edhe në vendet e zhvilluara me kujdes shëndetësor universal.

“Ka një problem sistematik në zhvillimin e ekonomive moderne, ku preferencat ndaj lindjes së fëmijëve po ndryshojnë. Gratë duan të jenë më të përkushtuara në punë dhe kjo nuk përputhet me dëshirën për të patur një familje të madhe. Mendoj se ky ndryshim qëndrimi është një shpjegim më i mirë duke patur parasysh faktin se është kaq universal në vendet e zhvilluara”, thotë Phillip Levine, profesor i ekonomisë në Kolegjin Wellesley.

Këto prirje ndaj lindjeve kanë ndikime afatgjata. Në vitet 1950, bumi i foshnjave të pasluftës në Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera ndikoi politikën, ekonominë dhe kulturën. Studiuesit thonë se rënia aktuale ritmit të lindjeve në Amerikë ka të ngjarë të ketë të njëjtin efekt të gjerë. /voa

Exit mobile version