ShBA reagon për punimet në rrugën Deçan-Plavë, kërkon respektimin e vendimit të Kushtetueses

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett ka reaguar për çështjen e rrugës Deçan-Plavë, dhe pezullimin e punimeve afër Manastirit të Deçanit, që konsiderohet zonë e mbrojtur me ligj.

Me anë të një postimi në Twitter, Kosnett është shprehur se kjo çështje është më e madhe se toka dhe leja e punimeve, shkruan lajmi.net.

Sipas tij, kjo ka të bëj me respektimin e vendimeve të gjykatës, dhe respektimin e të drejtës së praktikimit të besimit për të gjithë qytetarët.

“Ndërtimi i Rrugës Deçan-Plavë është më shumë se leja dhe toka. Ka të bëj me respektimin e vendimeve të gjykatës, respektimin dhe ruajtjen e të drejtave të të gjithëve për të praktikuar besimin e tyre e po ashtu të jetojnë paqësisht me fqinjët e tyre dhe vlerësimin e trashëgimisë së pasur të Kosovës dhe diversitetin kulturor”, ka shkruar Kosnett.

Në këtë kontekst, Kosnett ka thënë se mirëpret takimin dhe dakordimin e sotëm mes kryeministrit Hoti dhe kryetarit të Deçanit, Bashkim Ramosaj.

“Bashkëpunimi dhe angazhimi për zgjidhje që respektojnë vendimin e gjykatës është e vetmja rrugë përpara që çon në një zgjidhje të vërtetë. Takimi i kryeministrit sot me kryetarin Ramosaj është një hap në drejtimin e duhur”, ka shkruar  Kosnett.