SHBA-ja ka bërë të ditur se qeveria izraelite nuk ka paraqitur një plan humanitar ose ushtarak për një sulm të mundshëm në qytetin Rafah të Gazës, ku qindra mijëra palestinezë kanë kërkuar strehim nga një ofensivë ushtarake disamujore, transmeton Anadolu.
“Ne kemi thënë atë që duhet të shohim për të qenë në gjendje të mbështesim një operacion në Rafah. Ky është një plan i besueshëm dhe i zbatueshëm i ndihmës humanitare”, u tha gazetarëve Matthew Miller, zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
“Qeveria e Izraelit ka thënë se do të zbatojë një plan të ndihmës humanitare. Ne nuk kemi parë ende një plan të tillë”, tha ai.
Miller tha se gjykimi i SHBA-së është se Izraeli “nuk mund ose nuk duhet të shkojë në Rafah pa një plan ndihme humanitare që është i besueshëm dhe që ata mund ta zbatojnë në të vërtetë”.
Dje, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ai synon të lëvizë përpara me një ndërhyrje në qytetin Rafah në kufirin jugor të Rripit të Gazës një ditë pasi presidenti amerikan, Joe Biden, paralajmëroi se sulmi ndaj qytetit Rafah do të kalonte një “vijë të kuqe”.
Para Ramazanit, negociatorët thuhet se kanë punuar për një marrëveshje për një armëpushim dhe për lirimin e pengjeve.
I pyetur për një armëpushim të mundshëm gjatë Ramazanit, Miller tha se SHBA-ja vazhdon të besojë se një “marrëveshje për të arritur një armëpushim dhe për të siguruar lirimin e pengjeve është e rëndësishme”.