Mijëra demonstrues u mblodhën në Uashington, qytete të tjera të Shteteve të Bashkuara dhe në vende të tjera, duke protestuar kundër racizmit dhe dhunës disproporcionale ndaj afrikano-amerikanëve nga policia, afro dy javë pas vdekjes së një afrikano-amerikani në duart e policëve në Mineapolis.
Protestuesit paqësorë marshuan në një ditë të nxehtë nga shumë drejtime duke u mbledhur para Shtëpisë së Bardhë. Disa grupe nën ombrellën e lëvizjes Black Lives Matter kishin organizuar tubime dhe marshime nga mesdita deri në mbrëmje në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara.
Protestuesit thërrisnin “No Justice, No peace”, “Pa drejtësi, nuk ka paqe” dhe hidhnin parrulla të tjera, të gjitha me temën e protestës ndaj trajtimit të ashpër të afrikano-amerikanëve nga policia dhe diskriminimit të tyre.
“Duhet të kemi drejtësi ekonomike në mënyrë që gjithkush të mund të ketë qasje në kapital dhe njerëzit të ndërtojnë dhe të ngrenë jetën e tyre, tha reverendi Adrian Nelson i kishës Lomax AME.
Automjete ushtarake dhe oficerë me uniforma bllokuan pothuajse të gjithë trafikun në qendër të Uashingtonit, para marshimeve të planifikuara
Autoritetet kishin parashikuar se pjesëmarrja e përgjithshme do të arrinte në 200 mijë vetë, por ky numër mund të ishte edhe më i madh në një protestë që autoritetet e policisë kishin parashikuar të ishte ndër më masivet në Uashington dhe që ishte më masivja që pas vdekjes së George Floydit.
Protesta në shumë qytete amerikane kanë vazhduar për rreth dy javë që nga vdekja më 25 maj e afrikano-amerikanit Floyd, pasi një polic i bardhë mbajti gjurin në qafën e tij për mbi tetë minuta.
Pamje filmike që janë shpërndarë gjerësisht tregojnë zotin Floyd tek i përgjërohet oficerit t’i heqë gjurin pasi nuk po merrte dot frymë.
Ngjarja shënon shumë prej atyre rasteve kur anëtarë të komunitetit afrikano-amerikan kanë humbur jetën gjatë ose pas ndërveprimesh me policinë.
Grumbullimet në Uashington dhe qytete të tjera ishin përgjithësisht paqësore, ndryshe nga një javë më parë kur ato u shoqëruan nga veprime të dhunshme, plaçkitje dhe përplasje të protestuesve me policinë.
Ndryshimi në tonin e protestave, reflektonte vendosmërinë e shumë protestuesve dhe organizatorëve ditët e fundit, për ta shndërruar incidentin e fundit në një mobilizim të ri për të drejtat civile, duke kërkuar reformimin e sistemit amerikan të drejtësisë./voa/