Vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për të ndaluar përkohësisht hyrjen e refugjatëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe hyrjen e shtetasve të shtatë vendeve muslimane ka shkaktuar protesta masive në të gjithë vendin, raporton Anadolu Agency (AA).
Mijëra njerëz u mblodhën në aeroporte pasi disa njerëz të cilët kanë udhëtuar për në SHBA janë arrestuar, ndërsa disa individë u ndaluan të hipin në avionë.
Refugjatët, studentët dhe punëtorët të cilët kanë viza dhe karta të gjelbra të miratuara më parë, nuk lejohen të hyjnë në fluturim për në SHBA, dhe se, sipas mediave, kjo ka ndodhur në Amsterdam, Frankfurt, Kajro dhe në qytete të tjera në të gjithë Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikë.
Në aeroportin John F. Kennedy në New Jork, ku të shtunën janë ndaluar 12 persona, u mblodhën më shumë se 2.000 persona që mbanin parula “Lëshoni!” të cilët shprehën pakënaqësinë për shkak të vendimit të autoriteteve amerikane për të ndaluar hyrjen e refugjatëve dhe të shtetasve të vendeve të caktuara muslimane.
Në mesin e protestuesve ishte edhe aktorja amerikane Cynthia Nixon.
Një pjesëmarrëse në protesta Pamela French tha se “Atë që ka bërë Doland Trump në 24 orët e fundit është e neveritshme, e turpshme dhe tërësisht joamerikane”.