Policia arrestoi një të dyshuar të hënën vonë pas të shtënave në masë, që la të vdekur 6 persona në paradën e Ditës së Pavarësisë së 4 Korrikut në shtetin Illinois të SHBA-së, raporton Anadolu Agency (AA).
Të shtënat, të cilat ndodhën gjatë ditës së djeshme në periferinë e pasur të Çikagos, Highland Park, gjithashtu lanë të plagosur të paktën 24 presona të tjerë.
Shefi i policisë së Highland Park, Lou Jogmen, identifikoi “personin e arrestuar” si 22-vjeçarin Robert E. Crimo III.
Jogmen tha se kur një oficer policie u përpoq të ndalonte trafikun, Crimo u përpoq të ikte, gjë që u pasua nga një ndjekje e shkurtër.
“Përfundimisht ata arritën të ndalonin të dyshuarin në Lake Forest. Ai u arrestua pa incidente”, tha Jogmen në konferencën për media.
Sipas “The New York Times”, mosha e të plagosurve nga të shtënat varionte nga 8 deri në 85 vjeç.
Personi i armatosur qëlloi me një pushkë nga një çati gjatë paradës, ndërkaq arma që u përdor në sulm u gjet në vendngjarje, tha policia në një konferencë të mëparshme për media.
Guvernatori i Illinois J.B. Pritzker falënderoi agjencitë e zbatimit të ligjit për përpjekjet e tyre në arrestimin e të dyshuarit të armatosur.
“Ky vrasës do të sillet para drejtësisë”, tha ai. Duke vënë në dukje se kishte një telefonatë me presidentin Joe Biden, Pritzker tha: “Kjo çmenduri duhet të ndalet”.