SHBA përkrah intervenimin e Turqisë në Siri, Rusia ankohet

Operacioni tokësor i Turqisë në Siri si përkrahje për Ushtrinë e Lirë Siriane (ULS) është në interesin e sigurisë kombëtare, ka deklaruar të mërkurën Departamenti Amerikan i Shtetit, raportonn Anadolu Agency (AA).

“Veprimet të cilat i ndërmarrim kundër DAESH-it në Siri besojmë se janë në interes të sigurisë kombëtare të SHBA-ve si dhe të aleatëve dhe partnerëve tanë”, deklaroi zëdhënësi Mark Toner.

“Mendoj se e njëjta vlenë edhe për Turqinë, pasi mendoj se mbrojtja dhe dëbimi i DAESH-it sa më larg kufirit të tyre është edhe në interesin e tyre të sigurisë kombëtare”, shtoi më tej ai.

Komentet u bënë në vazhdën e ankesave nga Moska në lidhje me zgjerimin e operacionit “Mburoja e Eufratit” që drejtohet nga Turqia.

Ministria e Jashtme ruse ka shprehur shqetësimet e veta në lidhje me misionin, duke theksuar se ai nuk është sanksionuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, as që ka marrë pëlqimin nga regjimi i presidentit sirian Bashar al-Asad.

Turqia, njëjtë si dhe SHBA-të, gjatë kohë thonë se qeveria në Damask ka humbur legjitimitetin e saj pasi ka vrarë më shumë se 400.000 njerëz, dhe ka detyruar zhvendosjen e rreth 10 milionë njerëzve të tjerë, shifra këto të publikuara nga Kombet e Bashkuara.