SHBA ngrin fondet për universitete të tjera: Cornell dhe Northwestern në shënjestër

Administrata Trump ka ngrirë më shumë se 1 miliard dollarë financime për Universitetin Cornell dhe 790 milionë për Universitetin Northwestern, ndërsa po heton të dy institucionet për shkelje të të drejtave civile, raportoi agjencia Reuters.

Një zyrtar amerikan, që foli në kushte anonimiteti, tha se fondet e ngrira përfshijnë kryesisht grante dhe kontrata nga departamentet federale të Shëndetësisë, Arsimit, Bujqësisë dhe Mbrojtjes.

Ky veprim vjen pak javë pasi administrata dërgoi letra paralajmëruese për 60 universitete, përfshirë Cornell dhe Northwestern, duke kërcënuar me masa nëse nuk ndalonin atë që qeveria e quajti “antisemitizëm” në kampuse.

Javën e kaluar, qeveria njoftoi një rishikim të 9 miliardë dollarëve në fonde për Universitetin Harvard, ndërsa muajin e kaluar anuloi 400 milionë dollarë financim për Universitetin Columbia – epiqendra e protestave pro-palestineze në kampuse vitin e kaluar.

Presidenti Trump ka akuzuar protestuesit studentorë për antisemitizëm dhe lidhje me Hamasin, ndërsa grupe protestuesish, përfshirë edhe organizata hebraike, e kanë kundërshtuar këtë interpretim, duke thënë se kritika ndaj Izraelit nuk është baras me urrejtje ndaj hebrenjve.