Një burrë i dënuar për vrasjen e katër personave, përfshirë vëllain e tij dhe të fejuarin e motrës së tij, është ekzekutuar në shtetin amerikan Indiana, duke shënuar ekzekutimin e parë në shtet pas 15 vitesh, transmeton Anadolu.
Joseph Corcoran (49-vjeç) u shpall fajtor për të shtënat në korrik të vitit 1997 që vranë vëllain e tij 30-vjeçar James Corcoran, të fejuarin e motrës së tij 32-vjeçar Robert Scott Turner si dhe dy persona të tjerë, përkatësisht 30-vjeçarët Timothy G. Bricker dhe Douglas A. Stillwell.
Avokatët e 49-vjeçarit kundërshtuan dënimin e tij me vdekje për vite me radhë, duke argumentuar se ai vuante nga një sëmundje e rëndë mendore që dëmtoi aftësinë e tij për të kuptuar dhe për të marrë vendime.
Në fillim të këtij muaji, ata kërkuan nga Gjykata e Lartë e Indianas që të ndalojë ekzekutimin, por kërkesa e tyre u refuzua.
Ekzekutimi i fundit shtetëror në Indiana para kësaj ishte në vitin 2009 kur Matthew Wrinkles u ekzekutua për vrasjen e gruas së tij, vëllait dhe kunatës së saj në vitin 1994.
Edhe pse që atëherë në Indiana ka patur 13 ekzekutime, ato u kryen nga autoritetet federale në një burg federal në Terre Haute në vitet 2020 dhe 2021.