Presidenti amerikan Donald Tramp ka gjasa që muajin e ardhshëm t’i nënshtrohet votimit formal për shkarkimin e tij. Dy dëshmitarë të tjerë kanë konfirmuar rolin e tij në hetimet rreth Ukrainës dhe në kërkimin e favoreve për qëllime politike.
Ligjvënësit amerikanë kanë mbyllur javën e dytë të seancave dëgjimore për presidentin Trump, dhe pritet të votojnë shkarkimin e tij në dhjetor. Në dëshminë e tyre para dhomës së ulët të Kongresit, ish-ekspertja e zyrës ovale për Rusinë, Fiona Hill, dhe diplomati Dejvid Holms deklaruan se kishte udhëzuar Ukrainën të hetonte politikisht kompaninë ku punonte djali i rivalit demokrat, Xho Bajdën dhe akuzat se Kievi zyrtar kishte ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Në këmbim premtoheshin ndihma ushtarake dhe një takim dypalësh me homologun ukrainas.
Kryedemokratja Nensi Pelozi tha se hetimet për Trump-in nuk kanë përfunduar por rezultati duket. “Provat janë të qartë se presidenti përdori zyrën e tij për përfitime personale. Dhe kështu vuri në rrezik sigurinë kombëtare, duke cënuar integritetin e shtetit dhe duke shkelur betimin,” deklaroi Pelozi. Republikanët e kanë krahasuar procesin hetimor të kryetarit të tyre me një cirk të turpshëm, ndërsa janë besimplotë se akuzat për shkarkimin e Trump-it do të hidhen poshtë nga Senati.