Departamenti i Shtetit i SHBA-së ka njohur tetë gra nga vende të ndryshme të botës me Çmimin Ndërkombëtar të Grave të Guximshme (IWOC) duke lartësuar aktivizmin e tyre, por ka injoruar zërat e grave palestineze, transmeton Anadolu.
“Nën presidentin Trump, ne përpiqemi të shfrytëzojmë çdo mundësi për të mbrojtur dhe promovuar gratë dhe vajzat në të gjithë botën”, tha sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i cili kryesoi ceremoninë.
Rubio u fokusua në trajtimin e grave nga Hamasi, duke theksuar përpjekjet e Trumpit për “t’u dhënë fund luftërave brutale” që kanë zhvendosur gratë, pa iu referuar sulmeve izraelite në Gaza që kanë vrarë, plagosur dhe zhvendosur mijëra gra.
Marrëset e çmimit përfshinin komisaren e të Drejtave të Njeriut në Burkina Faso, Henriette Da, të mbijetuarën izraelite të sulmit të 7 tetorit, Amit Soussana dhe aktivisten jemenase, Amat Al-Salam Al-Hajj, e cila bën fushatë për të drejtat e të burgosurave.
Gazetarja nga Sri Lanka, Namini Wijedasa, udhëheqësja e të drejtave të grave nga Sudani i Jugut, Zabib Musa Loro Bakhit, rumunia Georgiana Pascu, Angelique Songco nga Filipinet dhe Velena Iga nga Papua Guinea e Re gjithashtu morën çmime në ceremoni.
Çmimi i Grupit të Nderit ‘Madeleine Albrigt’ shkoi për udhëheqësit e protestës studentore të Bangladeshit, të cilët sfiduan veprimet e qeverisë së tyre në vitin 2024.
Çmimi IWOC, tashmë në vitin e tij të 18-të, ka vlerësuar më shumë se 200 gra në mbi 90 vende për përballjen me shtypjen.