Është zbuluar se administrata e SHBA-ve ka lejuar disa kompani amerikane që të ndajnë informacione të ndjeshme bërthamore me Arabinë Saudite menjëherë pas vrasjes së Jamal Khashoggit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Senatori demokrat i Virginias në SHBA, Tim Kaine ka tërhequr vëmendjen në opinionin publik me një deklaratë në lidhje me informacionet e rëndësishme që administrata e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump i ka dhënë Arabisë Saudite.
Kaine ka njoftuar se ka parë dokumentet që administrata e Trumpit më 18 tetor 2018 vetëm 16 ditë pas vrasjes së Khashoggit “ka lejuar disa kompani amerikane që të ndajnë informacione të ndjeshme bërthamore me Arabinë Saudite”.
Ai thekson se është “shumë shqetësues” ky tolerim që qeveria amerikane ka bërë për sauditët në një kohë të shkurtër nga vrasja në fjalë e cila shkaktoi jehonë të madhe në të gjithë botën e cila po aq sa qeverinë e Rijadit e vendosi nën presion edhe Washingtonin.
“Qeveria amerikane ka bërë edhe një tolerim tjetër në çështjen bërthamore për Rijadin më 18 shkurt 2019”, tha Kaine i cili ka vënë theksin se ky proces duhet të jetë i hapur për njohuri publike.
Që nga viti 2017 e deri tani i janë njohur 7 kompetenca
Në kuadër të “bisedimeve për energjinë bërthamore”, të cilat kanë vazhduar që nga viti 2017 mes SHBA-ve dhe Arabisë Saudite, kompanive amerikane u janë dhënë deri tani 7 kompetenca dhe dihet që në kuadër të këtyre kompetencave zhvillohet shkëmbimi i informacioneve bërthamore mes dy vendeve.
Në procesin e ndërtimit të dy reaktorëve të parë bërthamor të sauditëve, është tërhequr vëmendja në rëndësinë e informacionit dhe mundësive teknologjike të marra nga SHBA-të, ndërkohë që Departamenti Amerikan i Energjisë deri më tani ka shmangur të zbulojë detajet e bashkëpunimit në fjalë.
Vrasja e gazetarit saudit Jamal Khashoggi në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll më 2 tetor 2018 u bë pjesë e axhendës botërore ndërsa administrata e Trumpit, mori shumë reagime në opinionin publik brenda vendit dhe atë ndërkombëtar.