SHBA, ndalesë afisheve për “15 Korrikun”

Drejtoria e Metrosë në Rajonin e Uashingtonit, kryeqytetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), nuk ka lejuar vendosjen e afisheve të përgatitura nga Shoqata e Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Pavarur (MÜSİAD) – Dega në SHBA, lidhur me “15 Korrikun”, tentativën për grusht shteti në Turqi nga organizata terroriste FETO, nëpër stacionet e metrosë dhe tramvajit, raporton Anadolu Agency (AA).

Lajmi është bërë i ditur MÜSİAD – Dega në SHBA, përmes një deklarate me shkrim, në të cilën thuhet se MÜSİAD – Dega në SHBA ka pasur marrëveshje me disa organizata reklamash për publikimin e shpalljeve njoftuese.

“Kur MÜSİAD – Dega në SHBA i paraqiti përmbajtjet për të gjitha afishet, ne morëm përgjigje negative nga drejtoria e stacioneve të metrosë. Edhe pse kemi marrëveshje, ata anuluan lejen tonë në mënyrë të njëanshme, për shkak se, sipas tyre, ata mendojnë se këto janë ‘politike'”, thuhet në deklaratën e MÜSİAD – Dega në SHBA.

Në deklaratë po ashtu thuhet se “është e papranueshme kjo embargo në SHBA, djepin e demokracisë dhe lirisë”.

Sipas deklaratës, çështja paraqet një problem ndërkombëtar dhe nuk ka të bëjë vetëm me një politikë të brendshme dhe se kjo gjë përmendet edhe në afishe.

“Pengimi pa arsye i çështjeve që mund të tejkalohen përmes solidaritetit na ka detyruar të mendojmë diç tjetër. Këto pengesa të autoriteteve edhe pse ka kaluar një vit nuk do të na bëjnë të heqim dorë nga të kuptuarit e luftës për demokraci”, theksohet në deklaratë.

Ndryshe, MÜSİAD javën e kaluar kishte paralajmëruar programe të ndryshme jashtë Turqisë lidhur me tentativën për grusht shteti më 15 korrik nga FETO, me rastin e njëvjetorit të saj.