SHBA mohon përfshirjen në grusht shtetin e mposhtur të vitit 2016 në Turqi

SHBA-ja thotë se nuk kishte “asnjë përfshirje” në grusht shtetin e mposhtur të vitit 2016 në Turqi të orkestruar nga Organizata terroriste FETO, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Shtetet e Bashkuara nuk kishin asnjë përfshirje në përpjekjen e grusht shtetit 2016 në Turqi dhe e dënuan atë menjëherë”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price të enjten vonë në një deklaratë. “Pohimet e bëra së fundmi nga zyrtarë të lartë turq për të kundërtën janë plotësisht të rreme”.

Deklarata erdhi pasi ministri i Brendshëm turk, Süleyman Soylu gjatë një paraqitje televizive të martën tha: “A e bëri FETO (përpjekjen e grusht shtetit të 15 korrikut) e vetme?. Unë dola dhe e thashë këtë në 24 orët e para (të përpjekjes së grusht shtetit). Unë thashë: ‘Ku ndodhet FETO?’ (në Amerikë) Kjo tregon gjithçka”.

FETO dhe udhëheqësi i saj me bazë në SHBA, Fetullah Gülen orkestruan grusht shtetin e mposhtur të 15 korrikut 2016, në të cilin ranë 251 dëshmorë dhe rreth 2.200 të tjerë u plagosën.

Turqia gjithashtu akuzon FETO-n se qëndron pas një fushate të gjatë për përmbysjen e shtetit përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.

Zyrtarët turq prej vitesh kanë kërkuar që SHBA të ekstradojnë Gülen-in nga rezidenca e tij në Saylorsburg të Pennsylvanias. Pavarësisht përshkrimit të detajeve në dosjen e tij dhe provave se përpjekja e grusht shtetit ishte organizuar me urdhër të Gülen-it, përpjekjet e Ankarasë për ekstradimin e tij ishin të pasuksesshme gjatë administratës së ish-presidentit, Donald Trump.