SHBA mirëpret marrëveshjen Arabi Saudite-Katar për të rihapur kufijtë

SHBA ka mirëpritur afrimin e shumëkërkuar midis Katarit dhe Arabisë Saudite teksa ata rihapën hapësirën e tyre ajrore dhe kufijtë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Zgjidhja e mosmarrëveshjes trevjeçare midis kuartetit dhe Katarit është në interes të të gjithë anëtarëve të GCC (Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit) si dhe në interes të Shteteve të Bashkuara”, tha një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit në një deklaratë për AA.

Kujtojmë se Doha dhe Riadi u dakorduan të rihapin hapësirën e tyre ajrore dhe tokësore.

Ky zhvillim shënon përparim në përpjekjet për t’i dhënë fund krizës diplomatike që e ka vënë Katarin të përballet me një bllokadë nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti që nga qershori i vitit 2017.

Duke akuzuar Katarin për mbështetjen e terrorizmit dhe ndërhyrjen në punët e tyre të brendshme, të katër vendet ndërprenë lidhjet me Dohan dhe vendosën bllokadë tokësore, detare dhe ajrore mbi vendin.

Katari, me mbështetjen e Turqisë, vazhdimisht i mohoi akuzat dhe shprehu gatishmëri për dialog për t’i dhënë fund bllokimit.