Departamenti amerikan i Shtetit vlerësoi zotimin e Bashkimit Evropian për të mbajtur “derën hapur” për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Ne e mirëpresim deklaratën e BE-së për Ballkanin Perëndimor”, tha zëdhënësi i këtij institucioni, Ned Price, në një postim në Twitter.
“Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia vazhdojnë të demonstrojnë angazhimin e tyre për reforma. Është e rëndësishme që dera e BE-së të mbahet hapur për ta”, tha Price.
Bashkimi Evropian mbajti të mërkurën në Slloveni një samit me përfaqësues të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që synojnë anëtarësimin në BE.
BE-ja miratoi një deklaratë, në të cilën thuhet se ajo mbështet perspektivën evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe “riafirmon përkushtimin e saj për procesin e zgjerimit” të bllokut evropian.
Por, sipas deklaratës, procesi i zgjerimit do të bazohet në “reformat e besueshme nga partnerët, kushtëzimi i drejtë dhe rigoroz dhe parimet e meritave individuale”.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Serbia kanë përparuar më së shumti në rrugën e integrimit evropian.
Këto dy vende kanë hapur disa kapituj të negociatave të anëtarësimit.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mbeten në pritje të nisjes së këtyre negociatave, ndërsa Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë vetëm marrëveshje stabilizim asociimi me BE-në – që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok. /rel