SHBA miraton përdorimin e plazmës së gjakut si trajtim për COVID-19

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump njoftoi se Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka dhënë miratimin e situatës emergjente për trajtimin me plazmë kundër koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se trajtimi me plazmë është një shpresë e rëndësishme në trajtimin e të prekurve nga COVID-19.

Trump u bëri thirrje qytetarëve amerikanë që kanë kaluar COVID-19 dhe janë shëruar, të dhurojnë plazmë tek njësitë përkatëse të shëndetësisë. “Një plazmë e dhënë do të shpëtojë jetë në një vend tjetër”, tha ai.

Trajtimin me plazmë, Trump e vlerësoi si një “sukses historik” dhe bëri të ditur se me këtë mënyrë mund të ofrohet mundësi për trajtimin e miliona njerëzve.

Gjithashtu Trump njoftoi se së shpejti do të japin edhe lajme të mira lidhur me vaksinën kundër COVID-19.

Drejtori i FDA-së, Stephen Hahn i cili ka folur në të njëjtën konferencë tha se trajtimi me plazmë është “shumë shpresues” dhe se presin që shumë njerëz të shërohen pas kësaj por se ka shumë punë për të bërë lidhur me trajtimin.

Në anën tjetër ish zyrtari i FDA-së, Scott Gottlieb tha se trajtimi me plazmë zbatohet aktualisht në disa rajone të vendit por se me vendimin e marrë sot do të hapet rruga që kjo të zbatohet në mbarë vendin.

Në këtë mënyrë antitrupat që zhvillohen në plazmën e gjakut të njerëzve që kanë kaluar COVID-19 dhe janë shëruar më parë do të përdoren për trajtim kundër virusit. Më tej thuhet se trajtimi me plazmë do të ndihmojë kryesisht në shërimin e të sëmurëve me rrezik të lartë që ndodhen në kujdesin intensiv.

Sipas të dhënave të fundit në SHBA mbi 180 mijë persona kanë humbur jetën nga pandemia.