Ballina Lajmet Rajon dhe Botë SHBA, mijëra të evakuuar nga çarja e digës më të madhe

SHBA, mijëra të evakuuar nga çarja e digës më të madhe

Mijëra persona në Kaliforni të SHBA-ve janë evakuuar për shkak të rrezikut në vendbanime nga çarja e digës në të cilën është rritur niveli i ujit për shkak të reshjeve, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve, reshjet e shumta të ditëve të fundit kanë rritur nivelin e liqenit në digën Oroville, e cila është diga më e madhe në SHBA. Autoritetet kanë vërejtur një çarje në një pjesë të digës, pasi që janë përpjekur të ulin nivelin e ujit nëpërmjet kanalit për shkarkim.

Autoritetet kanë bërë thirrje për largimin dhe ikjen në vendet më të larta të popullatës së qytetit Oroville, i cili numëron 16 mijë banorë dhe vendbanimeve përreth, nga shkaku i rritjes së kësaj çarje dhe rrezikut ndaj popullatës nga vërshimet e mundshme.

Më tej bëhet e ditur se mijëra persona janë nisur me automjetet e tyre për t’u larguar nga rajoni dhe se janë formuar radhë të gjata nëpër rrugë.

Nga qytetarët është kërkuar që t’u tërheqin vëmendjen autoriteteve për evakuimin e të moshuarve dhe personat me hendikep.

Autoritetet deklaruan se gjendja e përgjithshme e digës është në rregull, por se defekti në kanalet e shkarkimit paraqet rrezik dhe se punohet në zgjidhjen e problemit.

Gazeta “Los Angeles Times” ka parashikuar se shpenzimet për riparimin e problemit do të kushtojnë rreth 100-200 milionë dollarë.

Qeveria e shtetit të Kalifornisë, me ndërtimin e liqenit artificial me digë Oroville në vitin 1968, ka mundësuar furnizimin me ujë të zonave bujqësore dhe vendbanimeve në këtë rajon.

Nga ana tjetër, theksohet se niveli i ujit të digës për herë të parë gjatë historisë së tij është rritur në këtë shkallë.

Exit mobile version